Pas denoncimit në Kuvend, Kodheli lajmëron heqjen e taksës për paqeruajtësit VIDEO

Forcat e Armatosura që kryejnë misione paqëruajtëse do të përjashtohen nga taksimi.Premtimi u është bërë nga Ministrja, Mimi Kodheli, gjatë një video-konference me efektivët e kontingjenteve "MAT 5" dhe "Eagle 8", të cilët shërbejnë në kuadër të Aleancës, në operacionin ISAF në Kandahar dhe Kabul, Afganistan. Kodheli premtoi se do të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për këtë problem.“Fati e ka sjellë që unë të jem me profesion financiere, pra të kuptoj dhe nga taksimi shumë më tepër nga taksimi me të cilin mundohen të abuzojnë ata që nga taksimi nuk marrin vesh.Jam informuar dje që kanë kaluar pagesat tuaja të zakonshme, në një kohë ashtu siç edhe shefi i Shtabit e tha përpara sesa unë t’ia bëja prezent kryeministrit çështjen e taksimit tuaj. Këtë gjë e ka bërë me shumë dinjitet, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, shumë kohë më përpara, kur ka diskutuar me shumë seriozitet me stafin juridik për të gjetur mënyrën që ju të përjashtoheni nga ky taksim. Besoj që do t’ia mbërrijmë, por ajo që besoj më fort është kjo gjë: ju jeni aty sepse keni bërë një betim; ju jeni aty sepse besoni tek atdheu edhe tek detyra juaj fisnike dhe kjo është shumë më e rëndësishme se sa çdo diskutim tjetër. Unë jam këtu jo sepse besoj tek rroga e ministrit, por sepse besoj akoma tek shërbimi ndaj atdheut, pra në një sens, megjithëse në role të ndryshme, jemi betuar njësoj: unë mbi kushtetutë e ju mbi flamur që do t’i shërbejmë vendit, patjetër duke i shërbyer edhe familjeve tona që është gjëja më e rëndësishme që kemi” tha Kodheli.Ministrja, Mimi Kodheli, bisedoi me ushtarakët një ditë pas sulmit që ju bë kontigjentit shqiptar në Afganistan, që fatmirësisht rezultoi pa asnjë të lënduar. Paqëruajtësve tanë në Afganistan iu përcoll një mesazh i veçantë edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo.