Afganët votuan për presidentin e ri, rezultatet më 24 prill

Qendrat e votimit në Afganistan u mbyllën dje pasi zyrtarët e zgjedhjeve deklaruan një pjesëmarrje të suksesshme në votime.Në garë ishin tetë kandidatë ndërsa rre prej tyre konsiderohen si rivalët më të fortë: Ashraf Ghani, ish-zyrtar i Bankës Botërore; Zalmai Rassoul, ish-ministër dhe Abdullah Abdullah, po ashtu ish-ministër. Presidenti Hamid Karzai nuk kishte të drejtë të konkurronte përsëri.Megjithë disa sulme, Talibani nuk arriti të minonte zgjedhjet dhe miliona afganë morën pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.Pasi kishin hedhur votën në një ditë të zymtë në Kabul, votuesit afganë tregonin gishtin e njollosur me bojë mavi si provë e ushtrimit të së drejtës së votës.Kreu i Komisionit të Pavarur Zgjedhor Afgan, Ahmad Yusuf Nuristani, dukej i kënaqur me procesin.Ai theksoi se ndoshta mbi shtatë milionë vetë kanë votuar. Megjithatë, ai shtoi se kjo është një përllogaritje paraprake dhe se shifra korrekte nuk do dihet deri kur të numërohen votat.Nuk priten konfirmime mbi rezultatin para datës 24 prill. Në atë datë do të dalin rezultatet paraprake, ndërsa shifrat përfundimtare nuk priten deri në mes të majit.Kombet e Bashkuara thonë se ndër votuesit e rinj ishin 1.3 milionë gra.Vëzhguesit e caktuar nga kandidatët, zyrtarët qeveritarë të zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur ndoqën procesin brenda qendrave të votimit për të mos lejuar probleme, si manipulimet e shumta që shoqëruan zgjedhjet e vitit 2009.