Të shtëna me armë në bazën ushtarake në Fort Hood, 4 të vrarë

Një ushtar amerikan ka vrarë fillimisht 4 kolegë të tij, ka plagosur rëndë 16 të tjerë dhe më pas ka vrarë veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në bazën ushtarake amerikane të "Ford Hood" në Teksas.Sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për ushtarin e forcave të armatosura amerikane Ivan Lopez, 34 vjeç, por megjithatë identiteti i tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Të shtënat me armë zjarri kanë nisur krejt rastësisht dhe kanë zgjatur për rreth 20 minuta, ndërsa i gjithë personeli i bazës ushtarake është fshehur për tu mbrojtur nga plumbat, deri sa ai u ndalua nga policia ushtarake. Më pas ai është vetëvrarë, duke qëlluar veten në kokë me një pistoletë, jo me armën e punës por me një tjetër.Ushtari Lopez ka shërbyer në misionin ushtarak në Irak, por sipas zyrtarëve amerikan, ka patur probleme të shëndetit mendor. Ekipet e policisë, kanë mbërritur në vendngjarje dhe po hetojnë për shkaqet dhe rrethanat. Zëdhënësi i ushtrisë amerikan, gjenerali Mark Milley tha për gazetarët se nuk ka asnjë dyshim që mund ta lidh autorin e vrasjeve me ndonjë organizatë terroriste. Ushtari Lopez nuk rezulton të jetë dëmtuar apo lënduar gjatë shërbimit në Irak në 2011, por është vizituar disa herë për ç'rregullime post-traumatike dhe stres pas lufte, ndërsa kohët e fundit merrte edhe mjekime për depresionin.Në daljen e tij përpara mediave në Chicago, presidenti i SHBA-ve, Barack Obama tha se shumë shpejtë kjo ngjarje do të zbardhet, ndonëse nuk ngurroi të fshehë edhe habinë se si një ushtar i "Ford Hood" që ka sakrifikuar kaq shumë për lirinë dhe kundër terrorizmit, të arrijë në një veprim të tillë.Ndërsa Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel i cilësoi vrasjet, një tragjedi.  Në vitin 2009, në një sulm të ngjashëm u vranë 13 ushtarë dhe u plagosën 15 të tjerë. Agresori atëherë u dënua me vdekje.Baza ushtarake e "Ford Hood" në Teksas është krijuar në 1942 dhe është një nga institucionet më të mëdha ushtarake në botë, me mbi 65 mijë trupa ushtarake, pjesa me e madhe e të cilëve kanë shërbyer për vite në Irak dhe Afganistan.