Përkujtohet demostrata e 2 prillit, Basha: Dëshmorët burim frymëzimi
Shkodra ka përkujtuar demostratën antikomuniste të 23 viteve më parë, ku mbeten të vrarë katër dëshmorët e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.Në këtë ceremoni përkujtimore nuk kanë munguar as forcat politike, ku të vetmit përfaqësues të qeverisë kanë qenë drejtues të qarkut Shkodër, ata të LSI-së, të cilën zhvilluan axhendën e takimeve të tyre pa u bashkuar me Partinë Demokratike, ku kreu i saj Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga deputetë të djathtë nuk ka munguar në këtë ditë.“Shkodra dhe mbarë Shqipëria kujtojnë sot sërish, si çdo vit, me nderim dhe brengë, vrasjen e pabesë 23 vjet më parë në këtë qytet, të Arben Brocit, Bujar Beshanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, katër djem të rinj njëzet vjeçarë, katër studentë njëri më i mirë se tjetri, katër shkodranë në pranverën e parë të ëndrrës për liri dhe demokraci. Sa më shumë kalojnë vitet dhe sa më shumë zenë vend në ndërgjegjen demokratike të shqiptarëve zakonet dhe standartet e demokracisë europiane, aq më qartë del në pah karakteri politik, qëllimi kriminal dhe absurditeti i vrasjeve dhe plagosjeve të 2 prillit në Shkodër nga forcat e policisë dhe ish sigurimit të shtetit të asaj kohe. Shpeshherë, atë që bën koha në shërbim të së vertetës nuk e bën dot asnjë lloj hetimi” tha Basha.Deputeti i LSI-së, Agron Çela, Prefekti Radovani dhe përfaqësues të LSI vendosën kurora me lule në nderim të kësaj dite. Por në këtë ceremoni nuk munguan as shembujt aspak të hijshëm, ku përfaqësues të PD-së larguan kurorat e luleve të vendosura nga LSI dhe më pas filluan ceremoninë.