Borxhi ndaj ish-të përndjekurve, debate Blloshmi e Miraka: Nuk hamë gëlqere e bojë

Akuzat e ndërsjellta ndaj qeverive që përfaqësojnë sa i përket vëmendjes ndaj ish-të përndjekurve politikë, ka përplasur në debate Drejtorin aktual të Institutit të Integrimit të të përndjekurve politik, Bedri Blloshmi, me paraardhësin e tij Simon Miraka. Të ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare në RTV Ora News, Blloshmi akuzoi qeverinë e djathtë se ka zvarritur dhënien e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit.“Kontaktet e mia i kam pasur me Ministrinë e Mirëqënies Sociale që kur kam marrë detyrën.Kërkova të shohin nga afër ambjentet e institucionit ku rrinin ish të përndjekurit, ishte një kazan plehrash. Godina u restaurua. Është përhapur imazhi se janë ndarë dy këste për ish-të përndjekurit, nuk është e vërtetë dhe kjo jo për faj të zotit.Miraka, por nuk ka pasur para gjendje.Kemi rënë dakord që të nxirren të gjitha listat për këstin e parë, pastaj të vazhdohet me këstin e dytë”tha Blloshmi.Nga ana tjetër, Simon Miraka, përshëndeti qeverinë për rikonstruksionin e godinës, por ironizoi se ish-të përndjekurit nuk hanë bojë dhe gëlqere. Për Mirakën, nga kabineti i ri qeveritar nuk po bëhet asgjë për hartimin e listë pagesave.“Me të vërtetë ajo godinë ka qenë godinë e parikonstrukturuar pavarësisht kërkesave. Për këtë qeveria duhet përshëndetur. Por duhet të jemi të qartë se të përndjekurit nuk hanë gëlqere dhe bojë. Lidhur me dëmshpërblimet të gjithë ata që kanë pasur dokumentacionin e rregullt kanë marrë këstin e parë dhe të gjithë ata që janë gjallë kanë marrë dhe këstin e dytë. Deri tani nuk ka dalë asnjë listë pagesash nga Ministria e Drejtësisë. Janë listat ekzistuese, që qarkullojn nëpër gazeta, që nuk kanë qenë me dokumentacionet e rregullta. Në qershor ka dalë një listë me 1040 emra, janë lista të qershorit, nuk ka dalë asgjë nga MD” tha ai.Përfaqësuesit e kësaj kategorie ndanë qëndrime të ndryshme lidhur me ligjin për ish-të përndjekurit, por ajo që i bashkoi është fakti se politika i detyrohet shumë ish-të burgosurve.Brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti parashikohet të ketë përfunduar ndarja e këstit të parë të dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politik. Qeveria do të shpërndajë mbi 18 milionë euro në formën e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politik,duke favorizuar ata individë që janë në moshën 70-vjeçare.