Automjeti “kthehet” në kallam peshkimi, Hulaj: Laguna e Patokut ka nevojë për ndërhyrje

Mënyra e kapjes së peshkut në Lagunën e Patokut ka shënuar një tjetër rast tepër të veçante, që natyrisht jo vetëm nuk është parë, por tregon se shqiptarët mund të shpikin lloj-lloj mënyrash, për të konkretizuar synimet e tyre.Zef Hulaj, një nga personat që pothuajse gjithë jetën e tij e ka kaluar buzë bregdetit dhe për vite me rradhë është marre me peshkim, ka arritur të bëjë shpikjen e rradhës, ku automjetin e tij privat e ka kthyer në një ingranazh për tërheqjen e kavove që kryejnë funksionin e rrjetave të peshkimit. Kjo lloj mënyrë peshkimi është më e lehtë, më e shpejtë dhe natyrisht ajo që është edhe me kryesorja nuk e dëmton faunën në këtë zonë, e cila shquhet për shumëllojshmërinë e saj, siç janë levreku, qefulli, gjuza e shumë të tjerë.Laguna e Patokut konsiderohet si një ndër perlat e bregdetit shqiptar për vetë pozicionin e vijës bregdetare që ka, e cila shtrihet në një gjatësi prej 8 km. Dy lumenjtë që derdhen në të, Mat dhe Ishëm, i shtojnë edhe më tepër vlerat kësaj lugine, e cila është e njohur përveç prodhimeve të detit edhe për biodiversitet të lartë, që shënohet edhe nga prezenca e madhe e shpendëve në migrim.Laguna e Patokut është mjaft e preferuar nga turistët të cilët shijojnë jo vetëm valëzimin e dallgëve të detit, florën dhe faunën e zonës, por edhe ajrin e pastër. Pavarësisht vlerave që ka, ndaj kësaj zone nuk i është kushtuar vëmendja e duhur, pasi në 20-vite është kryer vetëm rikonstruksioni i rrugës që të çon pranë saj, ndërkohë që kujdesi dhe investimet ndaj një zone të tillë e cila ka se çfarë ofron, duhet të jetë më i lartë.