Gjyqet ndaj Kryebashkiakëve, verifikim ligjit për Gjikën, shtyhet proçesi "Mziu"

Ashtu si çdo të hënë dhoma penale e gjykates së Tiranës pret dy kryetarë bashkish Shpëtim Gjikën kryetar i bashkisë Vlorë dhe Xhelal Mziun kryetar i Bashkisë Kamëz. Mbi ta rëndojnë akuzat se kanë abuzuar me detyrën.Gjika dyshohet se ka falsifikuar dokumentat zyrtare,ndërsa Mziu për shpërdorim detyre. Shpëtim Gjika ka qenë i pranishëm në seancë, ku prokuroria ka paraqitur të gjitha provat e saj shkresore që nga kërkesa për gjykim deri tek lista e dëshmitarëve mes të cilëve anëtarët e këshillit bashkiak dhe KKRRT-së së Vlorës.Pas paraqitjes së provave nga ana e akuzës, mbrojtja ka kërkuar një ekspert, i cili do të bëjë verifikimin e një ligji të vitit 2004. Do të shikohet nëse lejohet apo jo ndërtimi në zonat ku janë ngritur dy pallate,për të cilat dyshohet se janë falsifikuar vendimet e KKRRT-së Vlorë.Gjykata ka vendosur që ky verifikim të bëhet nga Luiza Bala, eksperte urbanistike. Ndërkaq gjyqtari Arben Micko vendosi të shtyjë gjyqin për një datën 24 mars.Ndërsa seanca gjyqësore në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Kamëz dhe dy vartësve të tij u shty për herë të tretë radhazi. Shkak vazhdojnë të jenë vetë të pandehurit. Pas Xhelal Mziut dhe Bujar Loshit Drejtori i Tatimeve në Bashki, ishte radha e Atli Hotit për të bërë një kërkesë të tillë.Drejtori Juridik i Bashkisë Kamëz ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi ai ka një problem shëndetësor që nuk i lejon pjesmarrjen. I ndodhur në kushte të tilla, gjyqtari Besnik Hoxha ka shtyrë seancën të hënën e ardhshme.