Gjykata administrative bën goditjen e parë, rrëzon INUK për bulevardin e Tiranës

Gjykata Adminsitrative zhbllokon punimet për bulevardin e ri të Tiranës, duke rrëzuar vendimin e INUK për pezullimin e punimeve për këtë projekt.Disa ditë më parë Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit dhe Urbanistikës pezulloi punimet për projektin e bulevardit të ri. Nëpërmjet një deklarate, INUK ka sqaruar se ndërhyrja e tyre është bërë për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve që u preket prona nga ky projekt.Nga ana tjetër nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo, teksa e konsideroi si të paprecedentë këtë veprim, theksoi se vendimi është një xhelozi që kryeministri Edi Rama ka ndaj projekteve të bashkisë.Punimet për zgjatimin e bulevardit të Tiranës kanë nisur në shtator të 2013-ës dhe ishte parashikuar që të përfundonin brenda 18 muajsh. Firma, e cila po realizon punimet është "Copri - Construction Enterprises LLW". Ndërsa kostoja e ndërtimit është 26 milionë euro.Nga zbatimi i projektit të bulevardit të ri të Tiranës preken 204 objekte dhe 38.642 m² truall. Në total janë 262 pronarë të cilët do të shpronësohen nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e bulevardit të ri.Por këta të fundit janë të pakënaqur nga vlera e ulët e shpronësimit dhe shpesh herë kanë zhvilluar protesta para bashkisë. Vlera totale e shpronësimit për këtë projekt është gati 1.8 miliardë lekë.