Bashkia i drejtohet qeverisë për bulevardin: Rama të kthejë mercenarët e tritolit në kazerma

Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se po bllokon ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.Nënkryetari Enno Bozdo u shpreh në një konferencë për shtyp se banda e tritolit, e komanduar nga Edi Rama shkatërroi qindra objekte prone private dhe la pa shtëpi qindra familje.Deklarata e plotëMercenarët e tritolit faktuan dje se pas urdhërit politik për bllokimin e bulevardit qëndron shefi i tyre Edi Rama. Kjo bandë e tritolit e komanduar nga Edi Rama që shkatërroi qindra objekte prone private, që la pa shtëpi qindra familje në mënyrë antiligjore dhe jo njerëzore, mori përsipër dje të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese, gjykatën supreme të vendit.Ky është një veprim xheloz i një kryeministri të paaftë, që ka vendosur të kryejë çdo funksion në këtë vend, përveç atij për të cilin është mandatuar.Dje, z. Rama na ktheu në kohërat e errëta të para 90-ës, duke urdhëruar, “në emër të popullit”, pezullimin e punimeve për bulevardin.Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar për qytetarët, ai ka të gjithë atributin ligjor për të ndryshuar çmimin e tokës, që është e drejtë eskluzive e qeverisë;Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar për qytetarët, nuk do të bllokonte për dy muaj buxhetin e bashkisë;Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar për qytetarët nuk do të bllokonte shpronësimet për varrezat;Nëse do të ishte vërtet i shqetësuar për banorët nuk do të bllokonte kreditë për të  pastrehët si dhe vendime të tjera që bien në kundërshtim me interesat e tyre.Edhe njëherë, i bëjmë thirrje z. Rama, t`i kthejë mercenarët e tritolit brenda në kazerma dhe të ndalë luftën politike ndaj Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës është e vendosur t’u shërbejë qytetarëve dhe asgjë e askush nuk do të mund të dalë mbi ligjin dhe të bllokojë zhvillimin e kryeqytetit të vendit.