Koka takohet me homologun arab, bashkëpunim në fushën e mjedisit

Ministri i Mjedisit Lefter Koka mori pjesë në Konferencën për Ekonominë e Gjelbërt (PAGE) të zhvilluar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjatë kësaj konference, të parë në nivelin global dhe të mbështetur nga UNEP,  Ministri Koka u takua me homologë të vendeve të ndryshme dhe personalitete në fushën e mjedisit.Gjithashtu, Ministri Koka zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Mjedisit dhe Ujërave të Emirateve të Bashkuara Arabe Dr. Rashid Ahmed Bin Fahad. Gjate këtij takimi u theksuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe mundësitë e një bashkëpunimi në fushën e mjedisit dhe të ekonomisë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një eksperiencë të madhe në fushën e menaxhimit të burimeve ujore dhe ruajtjen e vijës bregdetare ndaj gjatë takimit u vu theksi tek mundësitë për një bashkëpunim të ardhshëm në këtë fushë.Në përfundim të takimit Ministri Koka i bëri ftesë Ministrit Rashid të vizitojë Shqipërinë dhe të njihet më nga afër me bukuritë e natyrës shqiptare. Ndërkohë javën e ardhshme Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe do të vizitojë vendin tonë.