Komisioneri Fyle në Tiranë, takim i nivelit të lartë për integrimin

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka nisur që herët axhendën e takimeve në Tiranë. Ai është takuar në orën 08:30 me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.Në një postim në Twitter, komisioneri Fyle thekson se ka diskutuar me kryeministrin për reformat e integrimit."Në Tiranë takim me kryeministrin Edi Rama ku diskutuam për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në reformat e qëndrueshme për integrimin në Bashkimin Europian” shkruan në Twitter Fyle.Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme thekson se ministri Bushati i ka paraqitur Komisionerit Fyle, në mënyrë të përmbledhur, progresin e reformave në vend, kryesisht në administratën publike, në gjyqësor, në politikën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e të drejtave të njeriut.Më tej, sipas ministrisë, Bushati foli për impenjimin e qeverisë dhe të administratës për të vijuar me të njëjtin ritëm në rrugën e reformave dhe të integrimit, duke përfshirë në këto procese edhe opozitën dhe shoqërinë civile.Komisioneri Fyle në takim me Bushatin ka vlerësuar ecurinë e deritanishme në rrugën e reformave të cilën e konsideroi mbresëlënëse, si dhe planet për veprim të mëtejshëm të cilat i cilësoi si ambicioze dhe të realizueshme. Komisioneri nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë faktorëve në këtë proces, sidomos të shoqërisë civile, për të  siguruar qëndrueshmërinë e reformave.Të dyja palët vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët. Sipas Komisionerit Füle, marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë një sinjal pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, ndaj të cilit vëmendja e Komisionit dhe e BE-së nuk është shkëputur.AxhendaNë orën 10:00, komisioneri Fyle është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile ndërsa në orën 10:55 ka nisur takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.Në këtë tryezë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, ish-ministrja e integrimit Majlinda Bregu dhe deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani.Mësohet se deputetët e PD-së janë shprehur në tryezë se marrja e statusit është i vonuar ndërsa shkelja e standardeve nga qeveria po vë në rrezik procesin."Qeveria ka shkelur ligjin, Kushtetutën dhe ka shkatërruar administratën me shkarkime masive. Qeveria po zëvendëson profesionistët me militantët partiakë në administratën publike.  Shkelja e konsensusit politik dhe mospërfshirja e opozitës janë pengesë për integrimin e vendit. Me veprimet që po kryen qeveria, po ecet mbrapsht për integrimin” janë shprehur deputetët e PD-së.