Lëvrimi i borxhit 330 Mln Euro nga FMN, Ahmetaj: Nisi pranvera e rilindjes ekonomike
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, 330 milion eurot e marra nga FMN që i shtohen borxhit i ka konsideruar fryt të pranverës ekonomike në vend. Kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim në lidhje me kriteret e kësaj marrëveshje si dhe detyrimet që i lindin shtetit shqiptar, por ka folur vetëm për aspektin pozitiv.“Dje Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar aprovoi marrëveshjen 3 vjeçare me Qeverinë Shqiptare për mbështetjen e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.Miratimi i Marrëveshjes me FMN është fillimi i pranverës ekonomike për Shqipërinë. Marrëveshja parashikon mbështetjen e ekonomisë përmes angazhimit të rreth 457 milionë dollarëve.Marrëveshja i hap rruge mbështetjes financiare dhe institucionale për ekonominë shqiptare, Qeverinë shqiptare dhe sipërmarrjen shqiptare, dhe mbështetjes së BB dhe BE. Miratimi i marrëveshjes është prova e parë e besimit nga partneret ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik qe kjo Qeveri solli. Vendosmëria dhe serioziteti i kësaj Qeverie në bërjen reformave, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, zhbllokoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Qeverisë shqiptare, ekonomisë shqiptare dhe sipërmarrjes shqiptare.Ka filluar Rilindja ekonomike e Shqipërisë.Marrëveshja është shprehje e drejtpërdrejtë e besimit të partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj qeverise shqiptare. "Ecuria ekonomike e Shqipërisë, - thotë FMN, -pritet të përmirësohet në 2014 e mbështetur nga ulja e planifikuar e rreziqeve themelore në fushën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, adresimi i nivelit të lartë të kredive të këqija dhe nisja e reformave strukturore."Është vetëm fillimi i punës dhe hapi i pare i ndryshimit që jemi angazhuar të sjellim. Kjo prove e kapërcyer tregon se projekti i Rilindjes po funksionon”tha Ministri.Sipas Ahmetaj programi me FMN-në do të pasohet nga hapa të tjerë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Gjthashtu sipas Ministrit vëmendje do ti kushtohet edhe tërheqjes së investimeve.“Ne do të vazhdojmë punën për tërheqjen e investimeve dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Angazhimi i KM dhe i koalicionit ka qenë të ndërtojmë Europën këtu, për të hyrë në BE si të barabartë. Programi me FMN është një hap i rëndësishëm përpara dhe do të ndiqet nga të gjithë masat e nevojshme për të rikthyer ritmet e rritjes ekonomike dhe punësimit në vend. Me këtë program të qeverisë shqiptare dhe besimin në rritje nga tregjet ndërkombëtare Shqipëria ka nisur kthesën thelbësore ekonomike drejt realizimit të potencialit të vet. Uroj edhe sipërmarrjen shqiptare për besimin qe ka treguar në ekonomi dhe angazhimin e tyre për të ndërtuar një marrëdhënie të re e të drejtë, besimi dhe bashkëpunimi me Qeverinë” përfundoi Ahmetaj.