Zaganjori takim me delegacionin e Prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori priti një delegacion të Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Kryeprokurori, Ismet Kabashi.Kryeprokurori i Kosovës, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, shprehu konsideratat e tij për Gjykatën e Lartë duke vlerësuar njëkohësisht marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve në fushën e drejtësisë.Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori duke e falenderuar Z. Kabashi për vizitën, theksoi se problemet aktuale me të cilat përballet sot gjyqësori dhe prokuroria janë të përbashkëta dhe marrëdhënia e mirë që ekziston mes dy vendeve është një ndihmë e madhe për të përmirësuar dhe realizuar me sukses objektivat e përbashkëta, të cilat ndihmojnë në forcimin dhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë që ofron drejtësia për qytetarët.Gjatë diskutimeve, Kryetari i Gjykatës së Lartë e ka njohur Kryeprokurorin e Kosovës me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti duke përmendur ndryshimet e fundit ligjore.Gjithashtu, në kuadër të respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara në fushën e gjyqësorit u evidentua rritja e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve gjyqësore respektive në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën marrëdhënieve juridiksionale si ekstradimi, ndihma e ndërjselltë juridike në çështjet penale dhe transferimi i personave të dënuar.Sipas të dy bashkëbiseduesve, miratimi e zbatimi konkret i këtyre marrëveshjeve dypalëshe kontribuon në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit më efektiv ndërkombëtar në luftën kundër krimit.Gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Ismet Kabashi, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.Gjithashtu Kabashi bëri një përshkrim të sistemit të drejtësisë penale në Kosovë në zbatim dhe garantim të Kushtetutës së Kosovës dhe standardeve të kërkuara evropiane.Në takim u ndanë qëndrime të përbashkëta për intensifikimin bashkëpunimit në drejtësi, si dhe u shkëmbyen ide dhe eksperienca për çështje me interesa të ngjashme.