Integrimi i komunitetit rom, Gjermeni: Pyetësor për tu njohur me situatën aktuale
Përmirësimi i cilësisë së jetës së komunitetit rom mbetet një sfidë e përhershme në Shqipëri. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se qeveria Rama do të hartojë një strategji konkrete për romët përmes një pyetësori që do të prodhojë të dhëna të sakta për nevojat e kësaj shtrese të shoqërisë.“Në bashkëpunim me PNUD do të fillojmë se shpejti realizimin e një pyetësori mbi kushtet e banimit të komunitetit rom, qëllimi i së cilit është: të identifikojë tipologjinë e nevojave të komunitetit rom për strehim dhe përmirësim të kushteve të banimit; të përllogarisë rast-pas-rasti kostot e nevojshme për ndërhryje; të hartojë projektete për ndërhyrje. Projekti synon të zhvillojë komunitete të qëndrueshme dhe të integruara, duke gërshetuar politikat e strehimit me ato të punësimit, trajnimit profesional, ndihmës sociale, përkujdesit shëndetësor, etj. Ne do të vlerësojmë mundësitë për të ndërhyrë dhe investuar bashkarisht me njësitë vendore dhe çdo aktor të interesuar. Jemi të vetëdijshëm që kushtet e papërshtashme dhe shpesh herë tronditëse të banimit të qindra e mijëra romeve në rajonin tonë, mbesin një sfidë e cila duhet të adresohet pa vonesë.Unë besoj që diskutimet gjatë këtyre tre ditëve do të na ndihmojnë të krijojmë vizione të reja por edhe të përfitojmë nga eksperiencat dhe shembujt e mirë që janë zbatuar në mënyrë te suksesshme në rajon dhe të gjejmë së bashku zgjidhje që të hapim horizonte të reja, të përmirësojmë metodat tona për të qenë më efektivë në luftën kundër strehimit përjashtues për komunitetin rom” tha ajo.“Romët dhe egjiptianët, si të gjithë qytetarët, kanë të drejtën e mundësisë për strehim social dhe të drejtën për të gëzuar kushte jetese dinjitoze. Përmirësimi i kushteve të jetesës për romët nuk duhet parë thjesht si një barrë financiare për buxhetin e shtetit, por si një investim vendimtar për vendin dhe për mirëqenien e qytetarëve të tij” tha Ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.Projekti i OSBE/ODIHR-it për Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve (PMIR) prezantoi disa shembuj praktikash të mira për përmirësimin e situatës së strehimit të romëve në Ballkanin Perëndimor, në tryezën e rrumbullakët rajonale dyditore, e cila filloi sot në Tiranë.Më shumë se 100 përfaqësues të autoriteteve vendore dhe OJQ-ve nga rajoni u njohën me praktikat e mira të legalizimit të banesave, përmirësimin e vendbanimeve dhe strehimin social për romët, si dhe me rekomandimet për zbatim që përmbante raporti.PMIR është një projekt rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe i vënë në zbatim nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Projekti mbështet programet novatore për nxitjen e një pjesëmarrjeje më të madhe në jetën politike dhe publike dhe në vendimmarrje, duke ndihmuar në luftën ndaj diskriminimit dhe duke kontribuar për kushte më të mira jetese.