Rama investitorëve turq:Ambasadorë të vendit tonë, do reduktojmë burokracitë

Duke e i parë si Ambasadorë të Shqipërisë në sytë e sipërmarrjes turke, kryeministri Edi Rama ka garantuar investitorët turq në vendin tonë se qeveria e tij mbetet e përkushtuar për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin. Duke folur në forumin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar të investitorëve shqiptaro-turq, Rama theksoi rëndësinë e mosabuzimit me rimbursimin e TVSH-së, duke u shprehur para investitorëve turq se ky rimbursim do të bëhet automatikisht.“Përmes këtij grupi deputetësh të gjithë ju dhe kolegët tuaj sipërmarrës do kenë mundësi të adresojnë çdo problem dhe sugjerim në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Këtu kemi përfaqësues nga shumë sektorë të ekonomisë së vendit dhe padyshim që prania juaj për ne ka domethënie të dyfishtë, nga njëra anë domethënien e një force që ne duam ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të zhvillimit të vendit dhe domethënien e pranisë suaj në Shqipëri si një mesazh për botën e sipërmarrjes turke për mundësinë e investimit dhe realizimit të një historie suksesi në Shqipëri. Ne ju konsiderojmë Ambasadorë të vendit tonë dhe promovues në sytë e sipërmarrjes turke. Do të reduktojmë burokracitë për biznesin. Po përmirësojmë klimën e investimeve në vend” tha Rama.Kryeministri Rama u kërkoi investitorëve të shtetit turk të denoncojnë çdo rast kur u kërkohet ‘bakshish’.“E kemi një fjalë të përbashkët, bakshish. Nuk e dimë nëse kjo fjalë e kishim ne dhe e morët ju apo e kishit ju dhe e morëm ne, por ju garantoj se asnjë nga ju nuk do i nënshtrohet presionit për bakshish. Këtë e kuptoni mirë se cfarë është, e keni ndjerë në Shqipëri dhe të denonconi tek ministrat e Financës, Ekonomisë, cdo lloj presioni. Nëse një sipërmarrës denoncon një përfaqësues të shtetit që e vendos nën presion, përfaqësuesi i shtetit përgjigjet moralisht dhe ligjërisht dhe nuk do jetë më përfaqësues i shtetit”.Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e mira Shqipëri-Turqi, shefi i qeverisë shqiptare tha se këto marrëdhënie do të të vlerësohen më tej, duke theksuar se ekonomia turke është një shembull i mirë për tu jetësuar në vendin tonë.“Marrëdhënia me Turqinë është marrëdhënie historike, e shtrirë në shumë vite, një marrëdhënie që lidhet me faktin e thjeshtë që dy vendet kanë luajtur rol të rëndësishëm. Ne kemi qenë me kohë sa ishim në opozitë, të bindur se pavarësisht se marrëdhënia Shqipëri –Turqi ka qenë e mirë, ka pasur dhe ka nevojë për një përmasë të re të ristrukturuar dhe me këtë bindje ne jemi investuar përmes jush në mënyrë që historia e rimëkëmbjes ekonomike të Turqisë në një kohë të shkurtër të përbëjë jo thjesht një shembull për tu ndjekur nga larg, por për tu marrë dhe jetësuar në vendin tonë. Takimet tona në të gjitha nivelet kanë konfirmuar se ekziston mundësia, hapësirat dhe predispozitat që bashkëpunimi mes nesh të marrë përmasa të panjohura më parë. Sipërmarrjet tuaja janë gurët e themelit të vendosura në kohë për të vazhduar të ndërtojmë një urë sa më të fortë dhe sa më të gjerë për një bashkëpunim reciprok. Ju i keni paraprirë një lidhje logjike mes dy vendeve tona, që kanë shumë ngjashmëri, që sot në këtë moment të zhvillimin e bëjnë shumë të rëndësishme Turqinë si pikë referimi. Në shumë aspekte në shkallën modeste, ekonomia jonë ngjanë me ekonominë Turqisë. Struktura e organizimit tonë institucional ngjan me vendin tuaj për t’i hapur rrugë zhvillimit së turizmit. Sot biznesi turk shumë i përfaqësuar në Shqipëri. Edhe ju si investitorë keni të gjitha kryeset të shprehni pakënaqësi dhe të këmbëngulni se shumëçka është mbartur në kohë si një problem që ka penguar sipërmarrjen, por që duhet të zgjidhet” u shpreh Kryeministri.Ndërkaq ambasadori i Turqisë në vendin tonë vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Turqi-Shqipëri, duke u shprehur se ky hap krijon më shumë mundësi për punësim.