BSH konfirmon thellimin e krizës ekonomike, norma bazë zbret në kufij historik

Kriza e kreditimit në vend detyron Bankën e Shqipërisë që të ulë përsëri normën bazë të interesit .Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, Guvernatori Ardian Fullani deklaroi se norma bazë e interesit ulet me 0.25 përqind, duke arritur shifrën prej 2.75 përqind dhe duke kapur kështu një rekord historik. Kreu i Bankës Qendrore shpjegoi se kjo masë është marrë për ti ardhur në ndihmë zhvillimeve ekonomike.“Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin mujor të politikës monetare, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit të ekonomisë si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë në pritje në të ardhmen, Këshilli Mbikqyrës i BSH-së vendos të ulë me 0.25% normën bazë të interesit. Pas kësaj ulje norma bazë zbret në nivelin 2.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikqyrës rritja e stimulit monetar krijon kushtet e përshtashme për përmbushjen e objektivit të inflacionit afatmesëm nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe ankorimit të pritjeve inflacioniste. Zhvillimet makroekonomike të 2013 u karakterizuan nga një rritje e dobët ekonomike dhe nga presione inflacioniste në rënie. BSH pret një përmirësim gradual të aktivitetit ekonomik gjatë 2014, por ekonomia shqiptare do vazhdojë të mbetet nën potencial dhe inflacioni pritet të qëndrojë në nivele të ulëta përgjatë këtij viti. Në veçanti rritja e akcizave do kete një efekt më të ulët se vlerësimet tona fillestare në inflacionin e vitit 2014. Në këto rrethana lehtësimi i kushteve monetare synon të krijojë stimujt e duhur monetarë për rikthimin e inflacionit në objektiv brenda një afati kohor afatmesëm. Inflacioni vjetor rezulton 1.7% në muajin janar, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me muaj e kaluar, ky reduktim erdhi si pasojë e rënies së inflacionit të ushqimeve të papërpunuara në reflektim të çmimeve më të ulta në vendet partnere dhe të rritjes së prodhimit bujqësor vendas” tha Fullani.Guvernatori Ardian Fullani u shpreh se shumë shpejt do të miratohet drafti per kredite e keqia, të cilat priten të ulen pas shlyerjes së detyrimeve nga qeveria. Sipas Guvernatorit në datën 28 shkurt do të finalizohet marreveshja me FMN per fondin prej 300 milion euro.Sipas Bankës së Shqipërisë, ambjenti ekonomik i dobët vijon te mbizoterojë si pasojë e uljes së konsumit dhe investimeve private.