Frroku: Presim zbatimin e marrëveshjes nga Rama, nuk lë mandatin e deputetit
Edhe pse qeveria Rama mbylli 100 ditëshin e parë të qeverisjes, marrëveshja me aleatët vijon të mbetet pezull. Kreu i PDK, Mark Frroku, deputet i grupit parlamentar socialist thotë se pavarësisht diskutimeve ende nuk ka asgjë konkrete dhe as afat të lënë nga PS për konkretizimin e marrëveshjes parazgjedhore.“Aktualisht ne jemi parti parlamentare, parti që bëjmë pjesë në mazhorancë, parti që kemi të gjitha mundësitë për të qeverisur për aq sa kemi marrë vota në 23 qershor. Deri tani Mark Frroku është në parlament, bën pjesë në mazhorancë dhe marrëveshja, ne presim. Ne po respektojmë marrëveshjen dhe presim që edhe nga ana e liderit të mazhorancës të respektohet kjo marrëvehsje. Jo për Mark Frrokun, por për PDK. Ka pasur biseda, unë marr pjesë edhe te grupi parlamentar i PS, aty është diskutuar për disa çështje që kanë lidhje me zbatimin e marrëveshjes në të ardhmen dhe besoj që Kryeministri sëbashku me partinë kryesore do reagojë në ditët e ardhshme.Ne kemi kërkuar të jemi pjesë e qeverisjes për aq sa na takon. Në politikë unë vij nga biznesi, problemet e mia financiare i kam të zgjidhura, aq sa të rri në politikë do kontribuoj për vendin dhe zgjedhësit e mi aq sa kam mundësi. Një pjesë e strukturave të PKD presin seriozisht të integrohen dhe të japin kontributin e tyre. Unë kam besim, afat nuk ka akoma. Zakonisht nuk lë afate dhe as vë kushte” deklaroi ai, duke shtuar se nuk do të lërë mandatin e tij si deputet për post Ministror.Në Ora Live, Frroku mohoi të ketë marrë paralajmërim nga Kryeministri për përjashtim nga grupi i PS, nëse nuk i kërkon falje ish-kryetares së parlamentit Topalli lidhur me mesazhin e dërguar ne cel. Mungesën në dy mbledhjet e fundit të grupit parlamentar socialist, Frroku e lidhi me angazhimet e tij personale.“Une kam marrë pjesë rregullisht në mbledhje, në dy të fundit nuk kam marrë pjesë pasi kam qenë i angazhuar me punët e mia personale. Kërkesa e Kryeministrit ishte shumë normale, Rama do të vendosë një standard të ri në jetën parlamentare, e mirëkuptoj. Por duke parë dhe historinë e 23 viteve çfarë është folur dhe diskutuar në parlament nuk me duket e drejtë ti kërkoj falje Jozefina Topallit. Personalisht që ditën e parë që kam hyrë në parlament nuk jam marrë as me emra dhe as me familjarët e askujt që është aty në parlament. Puna jonë në parlament është të merremi me problemet dhe hallet e vendit dhe shqiptarëve. Unë e kam bërë sqarimin për sms, deri sa jemi në politikë ne flasim politikisht, unë e kam pas vetëm në një sens, nuk e di si është marrë nga opinioni apo nga Zonja. Ne kemi pasur marrëdhënie me Topallin vetëm në zgjedhjet e mëparshme” theksoi Frroku.Kreu i PDK foli edhe për çështjen e debatuar të furgonëve. Duke e gjykuar të drejtë vendimin e qeverisë, ai tha se kjo e fundit duhet të kishte lënë një afat 6 mujor deri në 1 vit, deri në nxjerrjen e këtyre mjeteve nga qarkullimi.“Vendimi i qeverisë është i drejtë lidhur me furgonët. Duke vënë nën kontroll këtë pjesë shumë të madhe të transportit, e cila ishte shumë e rrezikshme për jetën e udhëtarëve. Mund të ishte lënë një afat 6 mujor ose 1 vit. Kjo duhet të ishte rishikuar ose mund të rishikohet, por vendimi është shumë i drejtë. Ne jemi dëshmitarë që furgonët në shumë raste bëjën gara se kush të marrë pasagjerin e parë. Transporti me autobus është më i sigurtë, megjithatë më vjen keq për ata drejtues mjetesh që bukën e fëmijëve të tyre e kanë tek ai biznes. Gjithsesi për mua vendimi është i drejtë” përfundoi ai.