Rama prezanton strategjinë e punësimit: Sfidë,hapja e vendeve të reja të punës

Strategjia e punësimit është një mjet i cili do të përmbushë synimet e vendosura për të ulur papunësinë. Në ceremoninë e prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim e Aftësi 2014-2020, kryeministri Edi Rama ka theksuar se strategjia e punësimit është mjet dhe jo qëllim në vetvete. Kreu i mazhorancës ripërsëriti se hapja e vendeve të punës mbetet një prioritet i qeverisë, i cili do të realizohet duke bashkëpunuar edhe me privatin."Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për strategji por për jetësimin e tyre. Problemi kryesor yni nuk ka qënë mungesa e legjislacionit, përshtatja me legjislacionin e BE-së apo mungesa e planeve por mënyra e zbatimit të tyre. Ajo që dua të theksoj sot është se jemi në kushtet kur një ministri e rëndësishme për kohën që jetojmë prezanton një strategji që është mjet dhe jo qëllim. Është një start dhe jo fundi i një rruge të parashikuar për tu përshkuar si një stafetë me arritje konkrete në lidhje me qëllimin që është madhor, rritja e punësimit. Besoj se kjo strategji është mjet dhe jo qëlllim bën edhe diferencën në një kohë kur është mbyllur një kapitull i historisë sonë, të rritjes ekonomike pa punësimin kur më shumë se asnjëherë tjetër kemi një ekonomi prodhuese që rigjeneron vende pune, kur shifrat e rritjes nuk mbeten kode të pakuptueshme për ata të cilët kërkojnë një vend pune. Hapja e vendeve të punës mbetet prioriteti ynë më i madh” tha Rama.Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, vuri theksin në rëndësinë e shkollave profesionale si dhe dhënies fund abuzimeve të përfitimeve nga papunësia."Ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi një fuqi punëtore të pakualifikuar dhe kualifikimi i tyre nuk I përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës. Ajo që gjetëm është se kishim zyra pune për të cilat duhej mik vetëm për ta gjetur zyrën e punës dhe jo për të marrë shërbime dhe ndërmjetësime në punë. Sistemi i punësimit që menaxhonte një fond për nxitje të punësimit nuk ishte i tillë dhe çdo biznes I rrinte larg sepse kuptonte se ky fond ishte gjithçka por jo i ndershëm. Qëndrat e arsimit profesional të cilat trajnimet kryesore që kanë ofruar në 23 vitet e fundit janë industria e vanitetit " tha Veliaj.Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 2013 papunësia ka pësuar rritje me disa pikë përqindjeje në krahasim me një vit më parë.Qeveria Rama ka pasur një ndër premtimet kryesore gjatë fushatës krijimin e 300 mijë vende të reja pune.