500 gram C4 zyrës së biznesmenit, gjymtohet Armando Ceka e juristi Julian Çela
Që prej 4 shtatorit të shkuar, autorët ende misteriozë të atentatit ndaj Armando Cekës kanë qënë mbikqyrësit më të rregullt të çdo lëvizje të tij.
Dhe momentin e parë që kanë siguruar hapësirën e duhur kanë goditur sërisht, këtë herë duke realizuar pothuajse objektivin e tyre: të vrasin me tritol biznesmenin e ndërtimit Armando Ceka.
Rreth orës 10:20 të mëngjesit, autorët kanë pasur sigurinë se 33-vjeçari ishte në vendin ku ishte bërë gati lënda eksplozive dhe hapja e derës nga Ceka ka provokuar shpërthimin.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë ku edhe ndodhej një nga pronat "lokal dhe hotel" e Armando Cekës,të cilën e administronte pasi ishte në pronësi të një të afërmi të tij.
Lënda shpërthyese ishte vendosur në hyrjen e lokalit dhe dyshohet se ka qënë një sasi e konsiderueshme, pasi edhe dëmet në ndërtesë kanë qënë të shumta dhe vetëm fati ka shmangur një tragjedi të vërtetë, duke qënë një zonë me shumë lëvizje makinash dhe këmbësorësh.
Nga shpërthimi vetë objektivi i atentatit dhe dy shokë punojës të tij kanë mbetur të plagosur. Julian Çela 23 vjeç sëbashku me Armando Cekën janë dëmtuar rëndë duke mbetur edhe të gjymtuar. Ndërsa Artur Sharra 46 vjeç është lënduar lehtë dhe është jashtë çdo rreziku për jetën.
“Dy prej të plagosurve më rëndë dolën nga operacioni, s'mund të themi për momentin se janë jashtë rrezikut. I plagosuri Julian Çela ka amputim në të dyja këmbët, ndërsa Armand Ceka ka amputim të një këmbe. Armando Ceka dhe Julian Çela janë në gjendje të rëndë për jetën, Artur Sharra ka dëmtime të lehta”deklaroi zv/drejtori i Spitalit Ushtarak, Artan Distafa.
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë, u formua grupi hetimor në përbërje të të cilëve ekspert kriminalist, ekspert të lëndëve eksplozive, ekspert xhenier, të cilët po punojnë në drejtim të administrimit të provave materiale dhe hetimin e kësaj ngjarje.Grupi hetimor në vendngjarje po kryen veprimet e para hetimore dhe proceduriale nga ku dyshohet se është lënde plasëse e fuqisë normale plastike rreth 500 gr e telekomanduar. Materiali hetimor do t’i referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.Atentati i dytë ndaj Armando CekësKy është atentati i dytë që i bëhet biznesmenit të ndërtimit Armando Ceka. Më datën 4 shtator 2013, në rrugën “Siri Kodra” një sasi tritoli i është vendosur biznesmenit në fuoristradën tip “Volvo”, me targa AA779 CX.
Makina fuoristradë e biznesmenit shpërtheu sapo Ceka kishte hipur në makinë për ta ndezur por fatmirësisht ai nuk mbeti i lënduar.Shpërthimi u konsiderua si një mesazh për të trembur biznesmenin e ndërtimit Armando Ceka por edhe pse kanë kaluar disa muaj ende nuk ka asnjë të dyshuar nga policia.