Gjosha- Johnsson: Axhenda Evropiane qëndron mbi ndasitë politike

Ministrja e Integrimit Evropian  Klajda Gjosha priti  në një takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor  të BE, Jonas Johnnson.  Ministrja e vuri në dijeni  Johnsson,  mbi  ecurinë e reformave  dhe vijimësinë e procesit të integrimit. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në BE, shprehu interes mbi hapat dhe masat që po ndërmerren, si dhe për marrëdhënien që maxhoranca ka me opozitën në funksion të axhendës evropiane.“Maxhoranca ka bërë përpjekje maksimale për të bashkëpunuar me opozitën për realizimin e reformave me rëndësi madhore për vendin. E kemi ftuar të jetë pjesë e diskutimeve në parlament, në të gjitha tryezat e rëndësishme. Më lejoni të theksoj se  integrimi në Bashkimin Evropian, kërkon vullnetin e të gjitha palëve, pasi shkon përtej ndasive politike. Axhenda Evropiane nuk i përket  as maxhorancës as opozitës, na përket të gjithëve”, u shpreh Ministrja Gjatë takimit.Drejtori për Ballkanin Perëndimor  në BE, Johnnson,  u shpreh se Bashkimi Evropian inkurajon Shqipërinë për ndërmarrjen e reformave.  Sipas tij, ato janë sfidat më të mëdha të Shqipërisë.  Johnnson u interesua gjithashtu  edhe për  mbështetjen që publiku  i gjerë ka ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe  punën që po bën qeveria për  tu treguar vendeve anëtare se meriton marrjen e statusit.Ministrja Gjosha, vuri në dijeni  Johnnson,  se në 10 mars nis turi i takimeve me vendet anëtare, për të dëshmuar me  masa konkrete  përpjekjen e bërë nga dhjetori për  të avancuar me procesin e integrimit.