Mbi 1000 të gjymtuar nga minat jetojnë pa asnjë përkrahje ekonomike

Mbi 1000 persona në te gjithë Shqipërinë janë të gjymtuar nga shpërthimi i minave apo municioneve të tjera.Sipas një studimi të bërë nga Shoqata e tyre rezulton se këta persona jetojnë në kushte të vështira, sepse nuk përfitojnë asnjë pension apo përkrahje ekonomike nga qeveria dhe në anën tjetër nevojat e tyre edhe për të ndërruar protezat janë jetike.Rreth 70% e tyre nuk marrin as pension prej 5000 apo 6000 lekësh me arsyetimin se nuk janë gjymtuar duke punuar dhe janë të mitur.Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, tregoi gadishmërinë se kjo kategori do të përkrahet nga shteti, ndërsa shtoi se e rëndësishme është identifikimi i këtyre rasteve.Fakt është se dhe në ditët e sotme, pavarësisht aksioneve të Ministrisë së Mbrojtjes janë shënuar të aksidentuar apo viktima nga këto shpërthime.Rasti më i fundit ishte ai në Fushë Krujë, ku një 6 vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një granate në fshatin Grec të komunës Nikël.