Thaçi-Mustafa dakordësohen për zgjedhjet, mbahen në gjysmën e parë të 2014
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë dakorduar që "me konsensus të Kuvendit të Kosovës, zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në gjysmën e parë të këtij viti".Lajmin e ka kumtuar zyra për informim e LDK-së, duke njoftuar për mbajtjen e një takimi sot, e premte, ndërmjet këtyre dy subjekteve politike."Ata u pajtuan që reforma zgjedhore të përfundohet nga Komisoni Parlamentar dhe që Qeveria brenda gjysmës së parë të muajit mars ta procedojë për miratim në Kuvend"."Po ashtu, u ra dakord që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për cfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj", thuhet në komunikatën e LDK-së, në të cilën paralajmërohen edhe konsultimet në këtë drejtim me partitë tjera politike në vend.Takimi i sotëm u zhvillua në kohën kur disa parti politike në opozitë kishte shprehur vendosmërinë për ta çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme.Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Aleanca këtë temë e ka marrë seriozisht dhe po punon me partnerët e opozitës që qeveria aktuale të largohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.“Është një reflektim serioz nga ana jonë i gjendjes së krijuar në vend, edhe ajo që e ka obligim një subjekt serioz politik është që të gjitha mundësitë institucionale me i vu në lëvizje. Nëse është një gjendje jo e mire-me i dhanë epilog me një më të mirë. Ne e shohim daljen nga kjo gjendje që e ka vendi përmes një marrëveshjeje politike opozitare në Kuvend dhe vendimeve për të shkuar në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.Për shkak të kremtes së 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, e cila shënohet më 17 shkurt, dhe procedimit të ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet qendrore, opozita kishte paralajmëruar se do t’i shtyjë nismat për pak ditë.Megjithatë, nuk ishte përjashtuar si mundësi as ajo që u kumtua në orët e pasdites, arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të partive dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, mbi reformën zgjedhore, shkarkimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve.