Skuadra e futbollit të Kosovës luan për herë të parë një ndeshje ndërkombëtare
Në fillim të muajit mars, Kosova për herë të parë do të luajë një ndeshje ndërkombëtare të futbollit nën përkujdesjen e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.Ndeshja pritet të zhvillohet kundër ekipit të futbollit të Haitit, më pesë mars në Mitrovicë. Njoftimi pasoi vendimin e Federatës Ndërkombëtarë të Futbollit e cila në mesin e janarit dha lejen Kosovës që ekipet e saj të luajnë ndeshje miqësore të futbollit në planin ndërkombëtarë.Sipas FIFA-s ekipeve të Kosovës u lejohet të luajnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, tani per tani, pa simbole shtetërore dhe me një shënim fusnotë afër emrit të saj. Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare.Leja për lojëra miqësore nuk përfshinë vendet e dala nga ish Jugosllavia. Në dokumentin e FIFA-s thuhet se klubet dhe ekipet përfaqësuese të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk mund të luajnë ndeshje zyrtare ose kualifikuese përderisa kjo federatë të mos jetë anëtare e FIFA-s.Ndeshjet miqësore mund të zhvillohen në territorin e Kosovës me kusht që FIFA është e informuar me shkrim së paku 21 ditë para secilit takim dhe kjo pastaj do të informojë Federatën e Futbollit të Serbisë. Çdo lloj shkelje e këtij vendimi do t'i referohet FIFA-s dhe marrëveshja automatikisht do të prishet. Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj gjashtë vjet më parë dhe është njohur nga mbi 100 vende të botës, ende nuk mund të jetë anëtare e FIFA-s për shkak se nuk është anëtarë e Kombeve të Bashkuara.