Haradinaj: Ja pse duhet të rrëzohet Qeveria
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj po e sheh të nevojshme bashkimin e partive opozitare parlamentare për ta rrëzuar Qeverinë, pasi sipas tij gjendja e krijuar nuk është aspak e mirë.Por, kreu i AAK-së mohoi se ka ndonjë marrëveshje paraprake me partinë në pushtet PDK-në, që pas zgjedhjeve të qeverisin së bashku.Ai tha se Qeveria aktuale nuk e ka shumicën, ndërsa sipas tij përmes rrugëve institucionale duhet kërkuar ndihmën e institucioneve të vendit, të Presidentes, parlamentit, partive.“Aleanca është serioze në këtë temë, po punon seriozisht me kujdes, me partnerët, e partnerët i kemi në opozitë, kësaj here partitë parlamentare opozitare dhe të gjithë deputetët që vlerësojnë kështu. Pra, është një fazë e konsultave, e punës, por të shohim si do të shkojnë punët. A ka partneritet me partinë në pushtet, nuk ka. Ne e ndijmë nevojën që në Kosovë të ketë ndërrime sa më thelbësore në të ardhmen në qeverisje dhe zhvillimet institucionale”, tha Haradinaj.Edhe pse disa ditë më parë njëri prej nënkryetarëve të AAK-së deklaroi se ende nuk e kanë numrin e votave për ta rrëzuar Qeverinë, Haradinaj tha se kjo ka ndodh si shkak i situatës evolutive që po ndodh në Kosovë për çdo ditë.“Situata është evolutive në Kosovë, do të thotë po evoluon çdo ditë, për mos me thënë çdo orë. Është një reflektim serioz nga ana jonë për gjendjen e krijuar në vend. Ajo që e ka obligim një subjekt politik serioz është që të gjitha mundësitë institucionale me i vu në lëvizje sepse është një gjendje e rëndë, apo jo të mirë, për me i dhënë drejtim me të mirë. Ne e shohim daljen nga gjendja që e ka vendi përmes një marrëveshje politike opozitare në Kuvend dhe vendimeve për të shkuar në zgjedhje”, thotë Haradinaj.Kurse, sa i përket bashkëqeverisjes pas zgjedhjeve parlamentare, Haradinaj tha se do të bëjnë koalicion me atë parti që merr vota dhe vlerësohet nga qytetarët.