Rasmusen-Gruevski:Ftesa për anëtarësim në NATO, pas zgjidhjes së emrit

NATO mbetet në qëndrimin e saj që të ftojë Maqedoninë si anëtare, atëherë kur do të arrihet një zgjidhje e përbashkët për kontestin e emrit.Kjo u bë e ditur sot nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski në Bruksel.Sipas tij, përveç kontestit të emrit, Maqedonia duhet të tregoj edhe përparim në planin e demokracisë dhe efikasitetit të reformave, lirinë e mediave, marrëdhëniet e mira midis pushtetit dhe opozitës si dhe marrëdhënieve midis bashkësive etnike.“Jemi dakorduar që ftesën ta japim sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme e përbashkët për emrin dhe ne mbetemi pas këtij qëndrimi. Po punojmë me ju për të ju ndihmuar në përpjekjet e reformave që vendi të ecë përpara. Ne ju inkurajojmë për të bërë përpjekje për të zgjidhur kontestin e emrit”, deklaroi Rasmusen para Gruevskit, duke shtuar se dyert për anëtarësim mbeten të hapura.Kryeministri Gruevski është shprehur se vendi meriton anëtarësimin në NATO dhe se ai është thirrur në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka qenë me vendim pozitiv për Shkupin, ndërsa ka fajësuar Greqinë për bllokimin e proceseve evroatlantike.Gruevski ka nënvizuar se vendi i tij është i përkushtuar në negociatat për zgjidhjen e kontestit të imponuar të emrit, që udhëhiqe nga OKB-ja.“Unë në këtë takim konstruktiv dhe produktiv kam pasur rastin që të shpalos rezultatet tona në planin e arritjes së reformave dhe përparimit në procesin e integrimeve evroatlantike”, theksoi Gruevksi, duke shtuar se vendi ka si përcaktim strategjik anëtarësimin e plotë në NATO.