Aksesi i munguar në sistemin e drejtësisë, personat me aftësi të kufizuar kërkojnë të drejtën

Të verbrit, para e tetraplegjikët kërkojnë më tepër përfshirje dhe mbështetje nga sitemi i drejtësisë në vend. SinanTafaj, kryetari i këshillit të PAK raportoi raste konkrete, kur individë me këto kushte fizike kanë marrë dënime të pamerituar dhe trajtohen në mënyrë të pabarabartë në burgje.Ndërsa Rodolf Cattani, sekretar i përgjithshëm i forumit europian të aftësisë së kufizuar tha se ligji i gjithëpërfshirjes është në kundërshtim me Konventën.Zv.kryeministri, Niko Peleshi, tha se të gjitha qeveritë që kanë kaluar janë borxhlinj ndaj kësaj kategorie, pasi i kanë trajtuar gjithmonë si çështje e dorës së tretë.“Në këto vite kemi arritur shumë pak aq sa nuk mund të krenohemi. Nëse ka ca arritje në drejtim të përmirësimit të të drejtave të PAK, merita është e vetë atyre, po ashtu edhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë ndjeshmëri më të madhe ndaj kësaj kategorie. Ka ardhur koha të heqim dorë që çështjen e PAK ta konsiderojmë si çështje të dorës së tretë. E di që jeni llodhur nga premtimet pa fund gjatë këtyre viteve të politikanëve, edhe unë jam në atë pozicion sot ku më duhet të flas për sensibilitetin dhe planet tona. Nëse ne nuk ndërtojmë një mentalitet qeverisës të ndryshëm dhe të ri, nëse nuk ndërtojmë një marrëdhënie me përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar nuk mund të arrijmë shumë. Duhen vendosur tre ura, ligjore fizike dhe në atë të mentalitetit. Ajo ligjore ka nevojë për përmirësim por si kemi shumë të këqia ligjet ne, çështja është zbatimi i tyre. Në urën fizike jemi shumë larg, ka vetëm disa ndërhyrje pilot. Aksesi në institucionet publike, aksesi në institucionet e drejtësisë është një nga sfidat, nuk kërkon buxhet të madh, por vullnet politik. Kemi edhe urën e mentalitetit për të kapërcyer, ndaj them që nuk është çështje vetëm e qeverisë, por nis që nga familjarët e tyre. Të kesh një fëmijë me aftësi të kufizuara nuk është turp. Trajtimi i personave me aftësi të kufizuar nuk duhet të shihet më si bamirësi, por si barazi ligjore” tha Peleshi.Numri dy i qeverisë garantoi se mazhoranca qeverisëse do të punojë çdo ditë që të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj kategorie për të vendosur një kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar.“Ne do bëjmë punën tonë që të jemi një qeveri e ndjeshme, një qeveri që reagon ndaj presionit tuaj pozitiv për tu garantuar të drejtat tuaja. Janë hedhur disa hapa, është caktuar një zëvendës.Ministre, sapo kemi ngritur komitetin ndërministror, kemi marrë angazhime të paktën për projektet që do zhvillohen me buxhetin e shtetit të ndërtojnë dhe infrastrukturën për PAK. Sfida është shumë më e madhe se kaq. Duhet të kujdesemi për aksesin sidomos për institucionet e drejtësisë. Ne do luftojmë çdo ditë për të marrë projekte në përshtatje me këtë kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar” përfundoi ai.Edhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, garantoi shërbim këshillimor juridik falas për Personat me Aftësi të Kufizuar. Ai theksoi se dikasteri që ai drejton është mjaft i ndjeshëm ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut dhe në veçanti sa i takon të drejtave, që prekin personat me aftësi të kufizuar ose personat që kanë pamundësi ekonomike e sociale për të pasur aksesin e nevojshëm në drejtësi.“Për të shpejtuar këtë proces, me urdhër të Ministrisë të Drejtësisë të datës 22 janar 2014, do të ngrihet dhe do të funksionojë zyra e këshillimit ligjor. Kjo zyrë, veç Tiranës do të ketë segmente të saj edhe rrethe të tjera të mëdha, Shkodër, Korçë, Durrës etj, dhe do i japë mundësi kësaj kategorie personash të informohen mbi procedurat ligjore dhe të marrin vendim nëse problematika e tyre ka nevojë për shqyrtim gjyqësor ose jo.Kjo, dritare theksoi Naço, na mundëson të njihemi me problemet që hasin qytetarët shqiptar nëpër gjykata dhe të ndërmarrim iniciativat e nevojshme për të reduktuar këto problematika, çka besojmë se do të sjelli rritje të transparencës dhe besimit të shqiptarëve karshi drejtësisë”tha Naço.Ambasadori i BE, Ettore Sequi, tha se integrimi i tyre është mjaf i rëndësishëm.Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha se mospasja e aksesit ne drejtësi të këtyre personave ka bërë që të jenë më të papërgatitur dhe më të pambrojtur.