Alarmi nga Italia, reagon PD: Riaktivizimi i trafikut pas shkatërrimit të policisë

Deputeti Aldo Bumçi shpreh shqetësimin e Partisë Demokratike për kthimin e Shqipërisë në listën e zezë të transitit të drogës. Në një deklaratë për mediat, Bumçi kërkoi marrjen e masave urgjente, që ky trafik të ndalohet e Shqipëria të mos bëjë hapa mbrapa e të mos konsiderohet nga fqinjët dhe Europa si rrezik për rendin e sigurinë e tyre.Deklarata e plotë:Italia është në alarm për drogën që vjen nga Shqipëria, dhe që ka pushtuar brigjet e saj të jugut.“Është alarmante sasia e drogës që vjen nga Shqipëria në Itali”, thotë zyrtari i lartë i Shtetit Italian, Maurizio Muscara.“Eshtë e pamundur të numërohet sasia që vjen në një muaj”, thotë i alarmuar Muscara.Në një intervistë për “la gazzeta del mezzogiorno”, zyrtari i lartë i policisë italiane thotë se droga nga Shqipëria mbërrin në Itali me varka, peshkaregja, gomone, motoskafe.Partia Demokratike ka qënë e para që ka dhënë alarmin për riaktivizimin e rrjeteve të drogës në vend, pas shkatërrimit që Edi Rama dhe Saimir Tahiri i bënë Policisë së Shtetit.Ne kemi denoncuar faktin se në policinë e shtetit janë shkarkuar masivisht profesionistët dhe janë zëvendësuar me militantë, por më e keqja ne kemi denoncuar se në poste kyçe janë caktuar persona të lidhur me krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.Pasojat e kësaj “rilindjeje” të Policisë së Shtetit nuk kanë vonuar. Ja çfarë ndodh në Itali. Tani nuk e themi vetëm ne, por Policia e Republikës Italiane jep alarmin SOS. Policia e shtetit fqinj thotë se droga e Shqipërisë ka vërshuar me tonelata në brigjet italiane.Ky shqetësim vjen nga Italia fqinje, e cila ishte avokatja jonë më e fuqishme për liberalizimin e vizave. Ky është një lajm shumë i keq për Shqipërinë, dhe e kthen vendin tonë në listën e zezë të tranzitimit të drogës.U deshën shumë vite punë, në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike për ta hequr Shqipërinë nga lista e zezë e Drogës.U deshën vetëm pak muaj të qeverisjes së Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në ditët e saj më të errëta, të tranzitimit të lëndëve narkotike, çka dëmton rëndë imazhin e vendit tonë.Pasiguria dhe kriminaliteti jo vetëm janë ulur këmbëkryq në Shqipëri por tani këto fenomene po kanosin edhe fqinjët.Partia Demokratike kërkon marrjen e masave urgjente, që ky trafik të ndalohet e Shqipëria të mos bëjë hapa mbrapa e të mos konsiderohet nga fqinjët dhe Europa si rrezik për rendin e sigurinë e tyre.