Librat më të preferuar, kryeqytetasit preferojnë letërsi të huaj e Dritëro Agollin
Për lexuesin kryeqytetas disa nga botimet e fundit shqiptare më të pëlqyera vijnë nga fusha e publicistikës, por jo vetëm."Pardesytë e bardha", është një libër publicistik nga autorja, Luljeta Progni, që hedh dritë mbi protagonistët e dhjetorit 1990 në Shqipëri.Autorja nga Prizreni, Zajmi-Hoxha, sjell romanin Krrokama, një dramë në të cilin gërshetohen shumë elemente psikologjike e sociale dhe tregohen episode, ku pas përfundimit të luftës në Kosovë njerëzit e krimit nga Kosova dhe Shqipëria bashkohen në vallen e tyre djallëzore.Mjaft i preferuar ka qenë dhe botimi më i fundit nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli me titull “I përndjekuri i dashurisë”.Erjus Mezini vjen me librin “Shansi i dytë”, një roman satire që përshkruan dhe vë në pah veset shqiptare, ndërsa i preferuar për lexuesit është edhe libri “Sende që nxirrte deti”, që sipas autorit është një ese e çlirët për historinë e dashurisë së shqiptarëve me Perëndimin gjatë viteve të diktaturës komuniste.Ndërsa libri "Një kosovar në jetën time", flet për lidhjen e dështuar të një kosovari dhe një çekeje, e cila përfundon me braktisjen e fëmijës së tyre, nga autorja çeke Marketa Hejkalova.Përveç linjës së jetës private, libri ka edhe një linjë tjetër, e cila lidhet me diplomacinë, Bashkimin Evropian dhe me politikën, një kombinim midis imagjinatës dhe realitetit.Libri shqip duket se nuk preferohet shumë nga lexuesit. Në listën e librave më të shitur gjatë javës, vendin kryesor e zënë si gjithmonë përkthimet nga autorë të njohur botërorë.Përkthimet më të shitura gjatë kësaj jave vijojnë me “Burimi i jetës”, libri i filozofes amerikane Ayn Rand, libri “Bretkosa” i autorit kinez Mo Yan, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2012.Danielle Steel, mbetet akoma një ndër më të preferuarat me librin e saj të fundit “Më prit dashuria ime” ndërsa Ajvi Valdes vjen për lexuesin shqiptar me botimin “Bukuroshja e Londrës”.