Kapet Ajet Marku, i arratisuri nga burgu 313 në Tiranë
Ka rënë në prangat e policisë pas më shumë se tre vjet arratisje Ajet Marku,i cili arriti të largohet nga burgu 313 në Tiranë në mënyrë spektakolare, duke kapërcyer murin rrethues.Aksioni për kapjen e tij është kryer nga efektivët e komisariatit numër 5 në kryeqytet, pikërisht në zonën e Kodër-Kamzës. Burime nga ky komisariat bëjnë me dije se prej ditësh tre ditësh ai mbahej nën vëzhgim dhe është ndaluar në banesën e vëllait të tij.Ajet Marku arriti të largohet nga 313 gjatë orarit të ajrimit, kur disa të burgosur ishin duke luajtur futboll. Ai shfrytëzoi këtë rast, duke kaluar mbi murin rrethues, për tu larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.Prej dhjetorit të 2010 ai ishte në kërkim nga blutë e Tiranës dhe falë një pune të mirë të tyre është mundur të vihet nën pranga. Ajet Marku në shtator të 2010 tentoi të grabiste me armë një bankë në qendër të Tiranës.Por ndërhyrja në kohë e rojes së bankës bëri që grabitja të dështojë dhe 23 vjeçari të arrestohej nga policia në kushtet e flagrancës. Mbi Markun rëndojnë akuzat e “vjedhjes me armë”, “armëmbajtje pa leje” dhe ajo e” largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”.