Gjosha pret delegacionin suedez: Opozitën e duam partnere për reformat madhore
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim delegacionin suedez të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, Ola Svenningson. Pjesë e delegacionit ishte gjithashtu i ngarkuari me punë i Suedisë në Shqipëri, Patrik Ssvenson dhe Mats Nystrom, përgjegjës për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme të Suedisë.Ministrja Gjosha , falenderoi palën suedeze për mbështetjen që i dha Shqipërisë në muajin dhjetor kur u mor vendimi për statusin e vendit kandidat, por edhe në vijim për qëndrimin tepër pozitiv në lidhje me vendin tonë. Ajo njohu të pranishmit me reformat që po ndërmerr qeveria duke theksuar se momentalisht po punohet fort me dy reforma të rëndësishme siç është ajo në Drejtësi apo Reforma territoriale-administrative.“Kemi ftuar opozitën të jetë pjesë e këtyre reformave. Siç e dini maxhoranca ka votat në parlament për të kaluar të gjithë nismat ligjore, por kur vjen puna në çështje me rëndësi madhore për vendin ne opozitën duam ta kemi në tryezë, në mënyrë që të shkëmbejmë idetë dhe alternativat. Duhet vullnet i përbashkët.”, tha Ministrja Gjosha.Ministrja theksoi se në fund të shkurtit do të nisë turin e vizitave në vendet e rajonit dhe një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për të dëshmuar mbi punën e qeverisë në funksion të procesit të integrimit.Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, Ola Svenningson theksoi se vizita e sotshme është një mesazh i qartë inkurajues për mbështetjen që Suedia i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.“Duhet të vazhdoni me reformat sepse realizimi i tyre ju jep besueshmëri tek vendet anëtare por në radhë të parë te qytetarët tuaj. Keni mbështetjen tonë për të gjitha këto hapa që po ndërmerrni”,tha Ola Svenningson.Nga ana e saj ministria Gjosha nënvizoi se plan-aksioni për 5 prioritetet është i rëndësishëm për të zhvilluar më tej vendin. Ministrja u ndal edhe tek bashkëpunimi rajonal, i cili sipas saj është i domosdoshëm jo vetëm për perspektivën e përbashkët evropiane, por edhe për të tërhequr sa më shumë investitorë.Përfaqësuesit e Suedisë shprehën vlerësimet e tyre për vizionin e ri të qeverisë dhe dakordësinë për vullnetin e maxhorancës për të bashkëpunuar me opozitën për reformat me rëndësi madhore.