Ndalimi i basteve online, Harito: Proçes i vështirë, ndryshohen shpesh adresat
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e konsideroi të vështirë mbylljen e të gjitha faqeve online të basteve pasi kompanitë ndryshojnë vazhdimisht adresat. Harito sqaroi se kompanitë e basteve shqiptare që kanë licencë për të operuar në Shqipëri nuk do të ndërpriten.“Synohet që kompanitë që nuk kanë liçencë për të operuar në Republikën e Shqipërisë do të ndalohen. Por, kjo gjë do kohën e vet, të paktën disa muaj, në mënyrë që të ngrihen organizmat e duhur dhe për këtë po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët na përditësojnë vazhdimisht informacionin. Por, ndonëse një pjesë e madhe e aktivitetit të këtyre kompanive ndërpritet, sërish një pjesë e madhe e tyre përditësohen më shpejt se ne.Këto website që krijojnë mundësinë që njerëzit të luajnë online janë shumë, janë me mijra dhe nuk janë të autorizuara të operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe përveç kësaj bëjnë që një sasi shumë e madhe parash të dalin nga vendi në mënyrë ilegale, dhe kjo në njëfarë mënyre nxit dhe krimin e organizuar. Ndaj u ndërmor kjo inisiativë, që është teknikisht e vështirë, por që po ndiqet në vazhdimësi. Këto website bastesh janë të fuqishme, kanë shumë para dhe ndryshojnë vazhdimisht adresat, por duhen ndjekur në vijimësi dhe përveç ndjekjes dorazi që i bëhet sot, një për një, duhen ngritur dhe instrumentat teknikë që të mos i lejohet asnjë lloj kompanie që të operojë përmes internetit”, theksoi ministrja e Inovacionit.Duke folur pas tryezës për sigurinë e internetit, Harito u ndal edhe tek çështja e numrave telefonikë të paidentifikuar, ku tha se AKEP duhet të bashkëpunojë me Ministrinë e Brendshme.“Kjo është një gjë goxha më e thjeshtë se sa ajo për bastet online. AKEP duhet ta ndjekë dita-ditës dhe të mos lejojë që një operator të shesë karta pa kërkuar të identifikohet personi që blen kartën. Kjo është ilegale dhe mund të përdoret nga krimi i organizuar, ndaj duhet absolutisht të ndalohet”, tha Harito.