Shoqata e transportit letër Ramës: Kalimi i topit tek Bashkia nuk zgjidh problemin
Shoqata Kombëtare e Transportit qytetas i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama lidhur me problemet që po kalon ky shërbim, në mënyrë të veçantë pas dyfishimit të çmimit të naftës. Marrë shkas nga vendimi i fundit i qeverisë për t’ia deleguar kompetencat Bashkisë së Tiranës për vendosjen e çmimit të biletës, Shoqata akuzon qeverinë se shumëzoi me zero të gjitha nogociatat 4 mujore me ta.“Siç edhe jeni në dijeni transporti publik qytetas po kalon një periudhë shumë të vështirë ekonomike si pasojë e dyfishimit të çmimit të naftës, rritjes shumë të madhe të vlerave të investimeve të bëra në 3 vitet e fundit, mossubvencionimit të personave që përfitojnë sipas ligjeve aktuale shërbimin urban falas, si dhe mosindeksimit të çmimit të biletës prej një periudhe 5-vjeçare. U bënë rreth 4 muaj që janë bërë shumë takime midis Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Ministrive të Transporteve dhe Financës për të arritur në një pikë të përbashkët ku si qytetarët ashtu edhe operatorët të mos dëmtoheshin. Duke parë sistuatën ekonomike që po kalon vendi ynë, gjendjen financiare të qytetarëve tanë, ne pranuam propozimin e Ministrisë së Tranpsorteve për rritjen e çmimit të biletës në 50 lekë, plus kompensimin nga qeveria të personave që me ligj përfitojnë shërbimin urban falas. Në datën 6 shkurt 2014, me anë të një vendimi të Ministrisë së Transporteve për t’ia kaluar kompetencat pushtetit vendor, ju shumëzuat me zero të gjithë këtë punë të kryer gjatë kësaj periudhe 4-mujore. Ne jemi dakord në parim për decentralizimin e kompetencave drejt pushtetit vendor, por për vështirësitë aktuale që po kalojmë, kërkojmë që si fazë emergjente të bëhet indeksimi i çmimit të biletës plus kompensimin e personave që me ligj e përfitojnë shërbimin urban falas” thuhet në letrën e Shoqatës Kombëtare të Transportit qytetas.Në vijim të letrës, Shoqata i bën me dije Kryeministrit se kalimi i topit sa nga njëra anë në tjetrën do të zvarriste pa fund zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe do të përkeqësonte më shumë gjendjen e transportit urban.“Frika e marrjes mbi supe të një kostoje politike ju bëri që topin ta kaloni në anën tjetër të fushës, por kalimi i topit sa nga njëra anë në tjetrën do të zvarriste pa fund zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe do të përkeqësonte më shumë gjendjen e transportit urban.Përkundrejt kësaj frike të humbjes së votave ju duhet të ndiheni krenar, sepse jeni pioneri i parë i ndryshimeve shumë të mëdha në sistemin urban, që e bëtë kryeqytetin, Tiranën, të radhitej i pari në listën e kryeqyteteve të Evropës Juglindore për moshën mesatare më të re të autobusëve urbanë si dhe hapët rrugën e zëvendësimit të atyre autobusëve të vjetër që lëviznin si baraka llamarine rrugëve të Tiranës, me autobusë të rinj me kilometrazh zero dhe me të gjitha standardet të Komunitetit Evropian. Kjo gjë na rrit akoma më shumë besimin që ju si Kryeministër aktual i vendit, përtej kornizave politike, do të ndërmerrnit të gjitha hapat e nevojshëm për të zgjidhur problemet e sistemit urban, sistem për të cilin të gjithë qytetarët tanë, pa dallim vote majtas apo djathtas, e kanë të nevojshëm”theksohet më tej në letër.Shoqata Kombëtare e Tranportit qytetas bën me dije se prej 3 muajsh ka vendosur nëpër autobusë numra telefoni për të marrë ankesat, mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të urbanëve. Duke besuar në suportin maksimal të Kryeministrit dhe duke shpresuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi, Shoqata e mbyll letrën me një thirrje për Ramën, duke i kërkuar vëmendje ndaj transportit urban.“Prej mëse 3 muajsh kemi vendosur nëpër autobusë numra telefoni për të marrë ankesat, mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit tonë.Është e vërtetë që kemi marrë shumë ankesa, sugjerime, madje deri edhe në ofendime, por nga ana tjetër kemi marrë edhe shumë falënderime. Kjo gjë nuk na ka bërë që të fluturojmë në qiell se kemi arritur më të mirën, por na ka motivuar që të punojmë akoma më shumë për t’u ofruar qytetarëve tanë një shërbim sa më cilësor, por që akoma nuk është ai shërbim që këta qytetarë meritojnë.Kjo letër mund të ishte shkruar me rreshta më të bukur, po të ishte marrë mendimi i një shkrimtari, do të kishte pasur më shumë ngjyra politike, po të ishte marrë mendimi i një politikani, por unë zgjodha të ishte më reale e shkruar nga dora e një qytetari tiranas, e menduar nga ana e një biznesmeni që kurrë nuk do të vinte interesin e tij personal dhe të shoqatës që ai përfaqëson, përpara interesit të 1 milion qytetarëve të Tiranës dhe atyre të mbarë vendit.Vitet do të kalojnë dhe koha do ta vërtetojë këtë gjë. Duke besuar në suportin tuaj maksimal dhe duke shpresuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve tona, do t’ju kërkoja që përveç halleve dhe problemeve që po kaloni, t’i kushtonit sadopak vëmendjen tuaj edhe transportit urban”.Vetëm 11 ditë më parë urbanet e kryeqytetit që janë varsi të Bashkisë pezulluan aktivitetin e tyre të përditshëm për 4 orë, nga ora 05:00 deri në 09:00 të mëngjesit në shenjë proteste, duke shkaktuar kaos në transportin kryqytetas.Kreu i shoqatës së Transportit Urban pati paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse qeveria nuk plotëson një nga alternativat e propozuara, ose rritjen e çmimit të biletës në 70 lekë ose heqje të akcizës së naftës dhe TVSH së biletës. Prej disa vitesh, çmimi i biletës në transportin urban në Tiranë është bërë 30 lekë nga 20 që ishte më parë.