Vota e serbëve të Kosovës, Thaçi: Beogradi nuk organizon zgjedhje, por OSBE

Kryeministri kosovar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka bërë të qartë se Beogradi nuk mund të zhvillojë zgjedhje në Kosovë. Ai tha se serbët e Kosovës kanë të drejtë të japin votën e tyre për zgjedhjet e 16 marsit që mbahen në Serbi, por Beogradi nuk mund ta organizojë këtë proçes, por një institucion ndërkombëtar siç është OSBE.“Edhe në të kaluarën edhe tani, Beogradi nuk do të mund të organizoj zgjedhje në Kosovë. Por qytetarët e Kosovës e kanë të drejtën e tyre të dyshtetësisë dhe mund të marrin pjesë dhe mund të votojnë në ndonjë proces elektoral kështu që zgjedhjet mund të organizohen nga ndonjë mekanizëm ndërkombëtar siç është OSBE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës. Pra do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e drejta e dyshtetësisë, por jo organizimi i zgjedhjeve nga Beogradi në Kosovë”,tha Thaçi.Ndërsa referuar protestave 10 ditore në Prishtinë që tronditën sistemin universitar dhe u pasuan me një valë dorëheqjesh, Hashim Thaçi ka deklaruar se është i nevojshëm verifikimi i të gjithë titujve akademikë që janë lëshuar që nga viti 1990 dhe se së shpejti pritet të ketë zgjedhje të lira të brendshme në Universitet."Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur si reflektim i atyre që janë shikuar nga afër prej institucioneve të vendit, prej debateve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të njejtën kohë dëshiroj të theksoj se ministria e Arsimit ka përcjellë nga afër zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe në të gjitha debatet që kemi zhvilluar në kuvend, unë kam ftuar që ta ruajmë Universitetin e Prishtinës nga ndikimet politike, nga presionet e panevojshme dhe të merren vendimet që u përkasin vetëm universitetit që të mos ndikohet nga politika. Sidoqoftë, zhvillimet kanë qënë ato që kemi parë dhe tani kemi një lëvizje të re me angazhimet e ministrisë së Arsimi, janë tani institucionet e përkohëshme që mendoj se do të shkojnë drejt zgjedhjeve të lira brenda Universitetit të Prishtinës, prandaj duhen kuptuar këto rrethana në një situatë të re që do të jetë në përputhshmëri me ruajtjen e autonomisë së Universitetit të Prishtinës. Por duhet kuptuar se që nga viti 1990 e deri tani Universiteti i Prishtinës ka qënë nën ndikime të ndryshme, ndikime këto që kanë ardhur edhe nga njerëzit që kanë bërë zhurmë për autonominë e Universitetit që vetë janë të graduar me tituj të konfirmuar me plagjiaturë, duke shkuar në nivelin e akademikut. E mira do të ishte të verifikohen të gjithë titujt akademikë, duke filluar që nga viti 1990, veçanërisht që njerëzve që janë marrë me politikë, merren me politikë dhe vazhdimisht bëjnë trysni në Universitetin e Prishtinës. Unë besoj që Kuvendi i Kosovës do ta aprovojë këtë kërkesë, në mënyrë që secili të kalojë nëpër një procedurë dhe në një proces krejt normal të verifikimit të titujve shkencorë, sepse kemi patur raste shumë ekstreme që në të vërtetë e kanë degraduar dhe shëmtuar perspektivën e Universitetit të Prishtinës. Por unë kam besim të plotë në botën akademike, tek studentët se do të ecin përpara dhe Universiteti i Prishtinës do të fuqizohet dhe më tepër" u shpreh Kryeministri kosovar.