Mbetjet spitalore, Inspektoriati i Mjedisit inspektim në QSUT
Spitalet publike dhe ato private do të kalojnë në sitën e Inspektoriateve të Ministrisë së Mjedisit dhe atij të Shëndetit Publik, për mënyrën e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.Aksioni vjen pasi situata është vërtetë e rënduar, pasi mbetje të tilla në shumicën e rasteve nuk diferencohen duke përfunduar në vendgrumbullimin e plehrave të qyteteve,duke paraqitur kësisoj një rrezik serioz për qytetarët.Inspektimi ka nisur nga QSUT-ja, ku kryeinspektori i mjedisit, Ergys Agasi, paralajmëroi masa drastike për këdo që nuk plotëson kriteret për këto lloj mbetjesh.“Aksioni vjen si pasojë e një situate të rënduar përsa i përket mbetjeve spitalore në vend. Inspektorët janë shpërndarë në të gjithë vendin . Ka shumë subjekte që shkelin rregullat. Aksioni ynë është në fazën fillestare dhe në përfundim të tij nëse nuk plotësohen kriteret për mbetjet do të merren masa drastike. Do t’i shkojmë deri në fund për t’i dhënë njëherë e mirë fund kësaj situate”tha ai.Gjergji Toni, specialist i mbetjeve të rrezikshme spitalore sqaron se vetëm në hodroklavën e QSUT-së përpunohen 80 tonë mbetje të tilla.Gjatë inspektimit, janë bërë konstatime sesa është sasia e mbetjeve që gjenerohen, sa mbetje prodhon një spital dhe sa nga këto mbetje trajtohen.