PS: Reagimi i PD për rrugën qesharak, Lin-Pogradec duhet të kishte përfunduar

Partia Socialiste reagoi pas akuzave të selise blu lidhur me inspektimin nga kryeministri Rama të rrugës Lin-Pogradec. Deputeti socialist Blendi Klosi tha se kjo rrugë duhet të kishte mbaruar në qershor të 2013, por për shkak të keqqeverisjes është ende një kantier i hapur. Sipas Klosit reagimi i sotëm i PD nga zyrat e mëkëmbësit për të mbrojtur padrinon është qesharak. Deklarata e plotë:Rruga Lin-Pogradec duhet të kishte mbaruar në qershor të vitit 2013, por për shkak të keqqeverisjes së Partisë Demokratike ende sot është një kantier i hapur. E lënë në mëshirë të fatit për shkak të borxheve të akumuluara nga qeveria e mëparshme, jo vetëm që rruga nuk ka mbaruar, por muaj pas muaji vazhdonte të degradohej edhe më keq. Sot në këtë rrugë ka rinisur puna, me standarde të reja, me ritëm të ri. Puna ka nisur falë garancisë që kompania e ndërtimit të rrugës ka marrë nga qeveria e re, se borxhi i krijuar nga qeveria e mëparshme do të shlyhet.Sot sfida e Kryeministrit Edi Rama është që kantieret e ndërtimit të zhbllokohen të gjitha, borxhet të lahen dhe të fillojë puna, jo vetëm për ndërtimin e rrugëve, por mbi të gjitha për të pasur rrugë cilësore, me sinjalistikë të standardeve moderne, të sigurta për çdo qytetar. Është e qartë se niveli i projekteve të trashëguara është krejtësisht i papranueshëm për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së çdo standardi urbanistik.Rishikimi i këtyre projekteve për aq sa mund të korrigjohen përgjatë realizimit të tyre është gjithashtu një domosdoshmëri. Reagimet e sotme nga zyrat e mëkëmbësit për të mbrojtur padrinon, që i bëri rrush e kumbulla elektorale paratë e shqiptarëve duke prere shirita për rrugë që mbetën rrugëve, janë sa qesharake aq edhe të mjaftueshme për të kuptuar edhe njëherë revoltën e 1 milion votave të 23 qershorit.