“ACT NOW”, Ambasada amerikane vlerëson 12 organizatat kampione të lëvizjes
Një vit e gjysmë pas nismës “ACT NOW”, Ambasada amerikane një nga mbështetësit më të fuqishëm të saj, ka vlerësuar 12 organizatat kampione të lëvizjes. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se nisma “ACT NOW” ia doli mbanë që të hidhte poshtë pikëpytetjet dhe kritikat që u ngritën kur nisma mori jetë.“Kur ne prezantuam nismën “Vepro tani” në qershor të 2012, sinqerisht nuk e denim që ideja që ne kishim do të kumbonte siç duhej mes shoqërisë civile dhe nëse ajo do të mund të arrinte njerëzit anembanë vendit. Dhe më duhet të jem i sinqertë, personat që më ndihmuan më shumë ishin kritikët më të ashpër, stafi im, amerikanë dhe shqiptarë. Stafi më pyeste ndërsa po zhvillonim nismën, se çfarë dëshirojmë të arrijmë, proçesin apo rezultatin? Dhe përgjigjia ime ishte, në fakt nuk e di, por e di që kur të ndodhë, do ta kuptojmë, do ta dallojmë të gjithë, do ta dimë që kjo është ajo gjëja që donim të arrinim. Zbuluam gjithashtu drejtues nga qeveria dhe në nivel vendor dhe ne e dimë fare mirë që drejtuesit në nivel vendorë nuk kanë shumë financa, e dimë gjithashtu që qeveria po përpiqet që të bëjë një punë për ta zgjidhur këtë, pra gjetëm persona që ishin të gatshëm dhe të zellshëm për të ndërtuar marrëdhënie me njerëzit.Ndërsa mësuam mbi historitë e tyre nisëm ti vendosim dhe në faqen tonë të fb historitë e tyre. Kështu që në fund të 2012 menduam a mund të bëjmë diçka më publike, të bëjmë pak më shumë publicitet lidhur me atë që njerëzit kanë mundur të realizojnë dhe që të njihen me arritjet e tyre. Dhe pastaj disa persona të mrekullueshëm brenda stafit tim erdhën një ditë dhe më thanë, ne kemi një ide, kemi idenë që të mund të krijojmë kampionët e nismës “Vepro tani”, por kjo të jepet si çmim në mënyrë të përmuajshme. Dhe besoj që këtë e vutë re edhe tek panelet e pasqyruar përjashta, në mënyrë konsekutive 12 muaj, të rinj, OJQ, grupe të ndryshme të mund të bëjnë diçka për të treguar punën e tyre dhe përpjekjet e tyre vullnetare. Këto grupe nuk spikatën thjesht për faktin se na pëlqyen projektet e tyre, por në fakt ajo që ne pamë ishte organizimi i një rrjeti ndërgjegjësimi, rrjeti ndërveprimi dhe kjo ishte një ndër gjërat më të rëndësishme dhe kjo ishte arsyeja pse ne i promovuam. Një temë të cilës ne si Ambasadë i kushtojmë shumë vëmendje është tema e rinisë dhe këtu u referohem grupeve të të rinjve që formojnë klube ose organizata të vogla që kanë vendosur të ndryshojnë gjendjen e pandryshuar, status-quonë, këto janë grupe që shpesh punojnë pa financime dhe publicitet, ata janë grupe që kanë një besim, besimin që njerëzit mund të punojnë sëbashku, besimin që duke punuar sëbashku mund të sjellin ndryshimin, besimi që ata mund të bëhen ndryshimi për shoqërinë duke luftuar cinizmin dhe duhet pranuar që cinizmi ndeshet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në SHBA. Cinizmi është një sëmundje shoqërore, por pasi ata përfshihen dhe investohen në këto projekte, këta të rinj do të mund të mbajën gjallë atë ndryshim sjelljesh të përhershëm që sjell fryma e “Vepro tani”.Dëshiroj ta mbyll me një shënim pozitiv, duhet folur për problemet në shoqëri dhe një nga mënyrat sesi mund të ngadhënjet apatia, cinizmi është përmes kësaj fryme. Dhe në gjuhën shqipe shpesh e përkthejnë fjalën vepro tani në vepro tani dhe më kanë thënë që tingëllon shumë bukur, ne në gjuhën angleze e shkruajmë “ACT NOW”, me germa kapitale pasi është një ankronim se shqiptarët mblidhen sëbashku për të vepruar tani”tha ai.Ambasadori amerikan mes batutash iu referua edhe largimit të tij nga Shqipëria.
“Një ditë unë do largohem nga Shqipëria, nuk e di cila do jetë ajo ditë, por e di që do të më thonë tani është koha që ti të rikthehesh në vendin tënd dhe kur unë të largohem do mund të mbart me vete shumë kujtime të mrekullueshme, por më duhet ta pohoj dhe të jem i sinqertë me ju se një prej tyre është dhe kjo nismë. Dëshiroj të them se ndoshta nuk do të marr gjithë meritën për këtë, madje edhe personat që punojnë në Ambasadën e SHBA-së nuk duhet të marrin gjithë meritën për nismën, por dua të theksoj faktin sesa krenar ndihem prej jush, për atë që keni bërë” perfundoi Arvizu.I pranishëm në aktivitet ishte edhe një nga personalitet që iu bashkuan iniciativës, ish-presidenti i republikës Alfred Moisiu.
“Kjo nisme luajti rol të madh në çlirimin e masës së shqiptarëve për tu shprehur lirshëm dhe me përgjegjësi qytetare për problemet kardinale të zhvillimit të demokracisë së re dhe të brishtë shqiptare. Në një demokraci reale dhe të shëndetshme shoqëria civile dhe zëri i njerëzve janë faktorë mjaft i rëndësishëm, pasi në masën kryesore ata përfaqësojnë mendimet jashtë platformave dhe interesave politike të partive, përfaqësojnë atë çka mendojnë intelektualët dhe masa e rinisë, gjithë populli mbi vendimet dhe veprimet e klasës politike. Megjithëse shoqëria civile dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë ngritur zërin e tyre në mënyrë të vazhdueshme duke tentuar në këtë mënyrë për tu bërë pjestarë aktivë të zhvillimeve politike në vend për fat të keq ende smund të themi se ja kemi arritur këtij qëllimi plotësisht. Kjo ndodh jo thjesht për nivelin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, por sepse klasa politike shqiptare ende nuk është mësuar të dëgjojë zërin e qytetarëve të saj gjatë gjithë kohës. Ajo e ka mendimin e shtrembër se masat e njerëzve kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre një herë në katër vjet, kur vjen radha për të votuar. Gjykoj që një nismë e tillë si “ACT NOW” e theu këtë tabu dhe i ndërgjegjësoi qytetarët shqiptarë që jo vetëm të ndjekin në vazhdimësi veprimet e klasës politike, por dhe të gjejnë format dhe mënyrat që ndikojnë në vendimet dhe veprimet e saj gjatë gjithë kohës mes dy zgjedhjeve. Domosdoshmëria e aktivizimit të shoqërisë civile dhe vlerësimi i gjykimeve të saj në marrjen e vendimeve të rëndësishme nga ekzekutivi dhe legjislativi luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë sonë, veçanërisht të një demokracie si jona që është ende në fillimet e saj. Shpesh më ka takuar të shprehem se demokracia shqiptare është ende në moshën fëminore të saj dhe gjykoj se nuk është e jashtëzakonshme pas 23 vjet janë pak për të formuar një demokraci të vërtetë reale. Por për fat të keq politikanët tanë shpesh as që nuk dënjojnë të njihen me konkluzionet e ndryshme të shoqërisë civile dhe kur njihen me këto mendime me ironi gjykojnë “ju flisni ne veprojmë siç na intereson”. Është e vërtetë se ky konkluzion është i hidhur, por për gjykimin tim është mëse i vërtetë. I përmenda këto deduksione të njohura për të evidentuar edhe më shumë rëndësinë që pati dhe ka lëvizja që po flasim sot” tha Moisiu.
“ACT NOW” është projektuar si një nismë për të rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj çështjeve aktuale më të mprehta dhe për të fuqizuar zërin dhe veprimin e tyre, gjithashtu edhe pjesmarrjen e tyre në gjetjen e zgjidhjeve.