Bashkia: Qeveria të zgjidhë çështjen e çmimit të biletave. Ministria ia ngec vendorëve

Ministria e Transportit dhe Infrastruktures vendosë t’ia delegojë të drejtën e përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor. Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit e kësaj Ministrie thekson se “duke respektuar përgjegjesitë e pushtetit vendor për administrimin e transportit qytetas, duke marrë parasysh natyrën vendore të tarifave dhe kostove të këtij sherbimi ndaj qytetareve, si dhe duke vlerësuar e mbështetur frymën dhe të drejtat reale të autonomisë vendore, Qeveria do të përgatisë amendimet përkatëse ligjore për transferimin e të drejtës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban autoriteteve të pushtetit vendor.Ndërkaq këto amendime ligjore do të përcillen për miratim në Parlament javën e ardhshme.Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila përmes një deklaratë për mediat e vlerëson zgjidhjen e propozuar nga qeveria si heqje të përgjegjësisë nga vetja. Sipas Bashkisë zgjidhja e vetme për këtë problem është ulja apo eleminimi i TVSH-së për shërbimin e transportit publik dhe eleminimi i akcizës së naftës për transportin urban qytetas.“Pas një heshtje dy mujore, qeveria propozon si "zgjidhje" heqjen e përgjegjësisë nga vetja.Edhe njëherë i bëjmë me dije publikut dhe qeverisë se problemi nuk është tek çmimi i biletës. Qëndrimi i Bashkisë së Tiranës është i qartë dhe i prerë, kundër rritjes së çmimit të biletës. Nuk është zgjidhje rëndimi i xhepave të qytetarëve në këto kohë të vështira me çmimin e rritur të transportit urban. Zgjidhja është ajo që i kemi propozuar që në dhjetor qeverisë: ulja apo eleminimi i TVSH-së për shërbimin e transportit publik dhe eleminimi i akcizës së naftës për transportin urban qytetas. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e problemit pa rënduar koston për qytetarët, dhe për këtë i takon qeverisë të marrë vendimet përkatëse dhe jo të fshihet duke hequr përgjegjësitë që i ka me ligj” theksohet në deklaratë.Më herët Bashkia e Tiranës i kërkoi zyrtarisht qeverisë të marrë masë për të mos lejuar rritjen e çmimit të biletës të transportit urban. Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo në një konferencë për mediat paraqiti edhe kërkesat e bashkisë drejtuar qeverisë.