Jo më kredi të buta për zyrtarët, qeveria: Ky fond do u jepet familjeve të varfra
Qeveria vendosi sot të mos trajtojë më në mënyrë të privilegjuar zyrtarët e shtetit me kredi të buta për strehim. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, në një konferencë për mediat tha se fondet e planifikuara në buxhetin e shtetit për zyrtarët do të alokohen për familjet në nevojë.“Në fakt, sic kemi bërë të njohur në media, Auditimi i kryer nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit zbuloi fakte tronditëse. Programi i kredive të lehtësuara pёr zyrtarёt dhe funksionarёt politikё u përdor pёr tё mbështetur militantёt dhe njerëzit me pushtet rreth qeverisё, në mënyrë të njëanshme, duke mos adresuar problemet e qytetarëve më në nevojë për strehim dhe me të ardhura të ulëta.Raporti i auditimit tё brendshëm tё Ministrisë, dёshmoi se zyrtarë kanë përfituar kredi pa plotësuar asnjë lloj kriteri.Konkretisht:-Janё akorduar dhe lidhur kredi lehtësuese me nivelin maksimal tё pёrfitimit, duke mos bërë asnjë përllogaritje.-Janë evidentuar raste tё përfitimit tё kredive lehtёsuese nga 2 programe të strehimit njёkohёsisht.-Janë gjetur raste tё trajtimit me kredi pёr shtёpi të funksionarёve qё kanë në pronësi 1 ose 2 shtёpi.-Zyrtarё tё lartё dhe funksionarё politikё kanё përfituar një kredi të dytë për të blerë banesë jashtë vendit të ushtrimit të detyrës, madje dhe në zona turistike.Të gjitha këto shkelje, materialet për të cilat i kanë kaluar për hetim prokurorisë, dëshmojnë qartë se zyrtarët e veshur me pushtet janë trajtuar ndryshe nga qytetarët në nevojë, janë privilegjuar në kundërshtim me ligjet në fuqi.Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit vendosi sot të mos trajtojë më në mënyrë të privilegjuar zyrtarët e shtetit.Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave parashikon që fondet e planifikuara në buxhetin e shtetit për zyrtarët, të alokohen në kategoritë e tjera më në nevojë për strehim, siç janë familjet që banojnë në ish pronë të subjekteve të shpronësuara të cilët përfitojnë kredi me 0 % interes” tha Gjermeni.