Rama zyrë të re pune edhe për Durrësin: Jo më strofkulla në pallate
Nuk kanë kaluar shumë ditë që nga inspektimi që bëri në ish-zyrën e punës në Durrës dhe për të cilën nuk kurseu të gjithë arsenalin e mundshëm të kritikave për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej, për ti dhënë qytetit bregdetar të Durrësit një zyrë të re pune, e cila që do u shërbejë kërkesave të qytetarëve për punë. Duke folur në ceremoninë e inagurimit, Kryeministri Edi Rama tha se nga sot qytetarëve u kthehet një hapësirë moderne e munguar.“Shpejtësia me të cilën kjo zyrë e re moderne pune, si një mishërim i modelit të ri të shërbimit kombëtar të punësimit, u hap, nuk është as merita ime dhe as merita e ministrit. Ose mund të jetë pak merita e ministrit dhe aspak merita ime, por është meritë e një ndërveprimi që e bëri të mundur në një kohë kaq të shkurtër, për ta kthyer një hapësire të harruar, në një hapësire moderne në shërbim të qytetarëve në kërkim të një pune. Një ndërveprim, ku u përfshinë autoritetet lokale, kompanitë private, shoqatat e biznesit, që janë në fakt kontribuuesit kryesorë në hapjen e kësaj zyre të re pune të standardeve ndërkombëtare. Ne kemi përcaktuar si prioritet hapjen e zyrave të punës, në të gjithë këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, jo thjesht për të organizuar në kushte tërësisht të ndryshme pritjen e punëkërkuesve, por për të realizuar atë që është në fund të fundit, objektivi i tyre që të gjejnë një punë. Punëkërkuesi do të ketë mundësinë që jo vetëm të kërkojë punën e duhur dhe ta gjejë atë kur cilësitë që ai ofron përputhet me cilësitë që kërkohen nga punëmarrësi, por do të ketë edhe një ndihmë direkte, të personalizuar, nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në këto zyra pune. Ndërsa qeveria do të bëjë praktikisht, atë që ministri ka bërë vijimisht gjatë gjithë kësaj periudhe, garantimin e këtij ndërveprimi në funksion të interesit reciprok të të dyja palëve, të punëdhënësve dhe të punëmarrësve.Nga ana tjetër, zyrat e punës do t’i shërbejnë tejkalimit të një dobësie të tregut të punës. Tejkalimit të asaj dobësie të tregut të punës që përbën një faktor themelor në tre aspekte: Së pari, në luftën me varfërinë; Së dyti, në aktivizimin e burimeve njerëzore të vendit dhe së treti, në zhvillimin e vetë tregut të punës. Nëse do të arrijnë të plotësojnë qëllimin dhe synimet e tyre, zyrat e punës do të jenë drejtpërdrejt kontribuuese në të tria këto aspekte, në qasjen dhe përmirësimin ndaj të tria këtyre aspekteve” tha Rama.Rama më tej ka premtuar hapjen e zyrave të punës në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me qëllimin që nga secila prej tyre të dalin përditë njerëz që hyjnë të papunë dhe dalin me një mundësi të re për punë.“Ne kishim një realitet tërësisht tjetër, të një zyre pune që ishte çelur në një apartament që dikush ia kishte shitur shtetit, apo që shteti ia kishte blerë dikujt, për arsye që të dyja palët i dinë vetë, por që si rezultat kishte dhënë një strofull të fshehur brenda pallateve, në fund të një rruge qorre, ku me siguri gjithçka mund të prisje, por vetëm punë nuk mund të prisje. Sot, vetëm në një kohë kaq të shkurtër, ne kemi këtë zyrë të re pune për një qytet kaq të rëndësishëm për zhvillimin dhe kaq të rëndësishëm për tregun e punës, sa ç’është qyteti i Durrësit. Ky është vetëm fillimi. Ne do të fillojmë hap pas hapi, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por gjithmonë jo duke pasur parasysh thjesht sesi të plotësojmë çdo qytet të Shqipërisë me një zyrë pune, por sesi në ndërkohë nga çdo zyrë pune të dalin përditë njerëz që hyjnë të papunë dhe dalin me një mundësi të re për punë. Sfida jonë për punësimin është një sfidë e jashtëzakonshme, por është një sfidë që ne jemi të bindur se do ta fitojmë. Dhe do ta fitojmë jo duke e kthyer shtetin në punëdhënësin më të madh, por duke e vendosur qeverinë në dispozicion të punëdhënësve dhe të punëkërkuesve dhe duke arritur të krijojmë përmes këtyre pikëtakimeve dhe përmes politikave shumë të qarta të stimulimit të investimeve që sjellin punësim, të mekanizmave që sjellin punësim, të ndërveprimeve që sjellin punësim, kushtet që cilido që sot ka diçka për të ofruar për të marrë një vend pune, të ketë mundësinë që ta gjejë këtë vend pune” deklaroi ai.Për këtë ai ka sjellë edhe shembullin e zyrës së punës në kryeqytet, ku sipas Ramës edhe pse akoma nuk ka mbushur muajin që është hapur, marrja në punë nga sipërmarrja përmes asaj zyre ka filluar të funksionojë dhe të japë çdo ditë rezultate.“Zyra e Tiranës ka një jetë shumë të shkurtër, akoma s’ka mbushur muajin dhe praktikisht, ne jemi dëshmitarë se marrja në punë nga sipërmarrja përmes asaj zyre ka filluar të funksionojë dhe të japë çdo ditë rezultate. Janë rezultate ende shumë modeste në shifra, në krahasim me rezultatet që ne presim dhe për të cilat do të luftojmë, por janë rezultate të mjaftueshme për të kuptuar që nëpërmjet rrjetit të ri të zyrave të punës, ne vëmë në dispozicion të qytetarëve një instrument që deri dje ekzistonte vetëm në letër, ndërsa sot e më tutje do të bëjë të mundur që kërkesat për punë të mos mbeten vetëm në letër” përfundoi Rama.