Nobeli i Thaçit bashkon politikën, Rama letër partive: Të lobojmë të gjithë
Kryeministri Edi Rama kërkon mbështjen e krerëve të partive politike për kandidaturën e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për Çmimin Nobel. Ndërsa iu është drejtuar me një letër secilit prej tyre, Rama propozon ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh për të hartuar letrën e Kuvendit të Shqipërisë drejt Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel.“Në emër të Partisë Socialiste dëshiroj t’ju ftoj të kontribuojmë së bashku në mbështetje të kandidaturës për Çmimin Nobel të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, që së bashku me kandidaturën e përfaqësueses së lartë të BE-së Baroneshës Chathrine Ashton dhe atë të Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, vlerësohen si protagonistët e një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit tonë duke i dhënë fund historisë së gjatë të konflikteve në rajonin ku jetojmë. Ja pse ju propozoj ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare për hartimin e letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland në mbështetje të kandidaturës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si Çmim Nobel për Paqen. Gjithashtu le ti kërkojmë mbështetje grupeve respektive politike në Parlamentin Europian , në asambletë Parlamentare të Këshillit të Europës, OSBE e me radhë organizatat e tjera me të cilat partitë tona bashkëpunojnë për tu shprehur në favor të nismës që promovon si kandidatë për Nobelin për Paqen protagonistët e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë”shkruan Rama.Shefi i qeverisë shqiptare nënvizon faktin se Thaçi bashkë me Baroneshën Ashton dhe kryeministrin e Serbisë Daçiç janë protagonist të një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit.“Përgjatë një procesi sa të domosdoshëm për të ardhmen aq dhe të vështirë për të shkuarën Kryeministri i Kosovës tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosmëri të madhe në dobi të interesit të lartë kombëtar por edhe në dobi të një bote më të mirë. Marrëveshja e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë ishte siç e cilëson me të drejtë Baronesha Ashton “ një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Europës” për të dyja vendet.Prandaj për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Europën Juglindore le të bashkojmë edhe ne zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje”përfundon Rama në letrën drejtuar krerëve të partive politike në vend.Diplomatja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, janë propozuar për Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit, nga liderët evropianë të të gjelbërve dhe socialistëve.Emrat e zonjës Ashton, Thaçit dhe Daçiçit, personalisht janë propozuar nga presidenti i grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Hannes Sëoboda.Catherine Ashton e ka ndërmjetësuar marrëveshjen për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që synon përfundimin e konflikteve në Ballkan. Në takimet për arritjen e kësaj marrëveshjeje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç.Hannes Swoboda tha se atyre duhet tu jepet Çmimi Nobel për Paqe “jo vetëm si shpërblim për progresin e arritur tashmë, por edhe si motivim, mundësisht si shtytje e fundit, e cila është e nevojshme për paqen e qëndrueshme”.Afati i fundit për nominime për këto çmime prestigjioze është një shkurti, praktikisht më tepër se tetë muaj, para shpalljes së laureatëve.