Nivel i lartë i korrupsionit në Europë, KE: I kushton ekonomisë së BE 120 mld euro në vit
Shkalla e korrupsionit në Evropë është mbytëse dhe i kushton ekonomisë së BE-së rreth 120 miliardë euro në vit. Ky është përfundimi i një raporti nga Komisioni Europian.Të dhënat u prezantuan në një konferencë për mediat nga komisionerja europiane për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.Sipas saj, korrupsioni po ul besimin në demokracinë europiane dhe po kufizon të ardhurat e ekonomisë së ligjshme. Për hartimin e këtij raporti, Komisioni Evropian studioi nivelet e korrupsionit në të 28 vendet anëtare. Vendet më problematike paraqiten Rumania dhe Bullgaria, ndërsa Suedia renditet në fund.Proçedurat e prokurimeve publike janë të prekshme nga mashtrimet, ndërsa në vende të tjera problemi kryesor qëndron të financimi i partive, ose te fondet për bashkitë. Sipas raportit, ka vende të BE-së ku pacientët duhet të paguajnë ryshfet, në këmbim të shërbimit të duhur shëndetësor.Studimi përfshin edhe dy anketime të mëdha publike, ku tregohet se tre e katërta e qytetarëve evropianë, janë të mendimit se korrupsioni është i përhapur në vendet e tyre.Ndërsa katër nga 10 biznesmenë evropianë, e shohin korrupsionin si pengesë në aktivitetin e tyre të ligjshëm. Ky është studimi i parë i këtij lloji që kryhet nga Komisioni Europian.