Qeveria ndalon gjuetinë për dy vjet, Ministria e Mjedisit:Shmangim kaosin

Nisur nga situata kritike e popullatave të faunës së egër në Shqipëri dhe humbja e diversitetit të llojeve, me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr 1069, date 14.12.2013, Kuvendi i Shqipërisë, me datë 30.1.2014, ka miratuar, ligjin "Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë".Nga sot, Ministria e Mjedisit bën me dije se do të bashkërendojë punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme, doganat dhe tatimet për kontrollin e armëve të gjahut për një periudhë 2-vjeçare, afat kohor ky, i domosdoshëm për inventarizimin, planifikimin, rehabilitimin dhe mbarështimin e faunës në Republikën e Shqipërisë.Ligji për "Shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në Republikën e Shqipërisë", pezullon të gjitha lejet e lëshuara të gjuetisë dhe përdorimin e zonave të gjuetisë.Kjo periudhë 2-vjeçare do të shërbejë për hartimin e planit të masave për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër në përputhje me Udhëzuesin për Gjuetinë e Qëndrueshme sipas Direktivës së Shpendëve të Komisionit Evropian, (2009/147/EEC,) Kartës Europiane të Këshillit të Evropës për Gjuetinë dhe Biodiversitetin, Konventës së Bernës "Për ruajtjen e jetës së egër dhe të habitateve natyrore Evropiane" si dhe Konventës së Bonit "Për llojet migratore".Brenda kësaj periudhe rishikimi i akteve nënligjore të ligjit nr. 10253, date 11.3.2010 "Për gjuetinë" në Republikën e Shqipërisë, rishikimi i procedurave për dhënien e lejeve të gjuetisë, rishikimi i zonave të gjuetisë, rishikimin e statusit për funksionimin e një federate gjuetie në nivel kombëtar, mbetet prioritet i punës së kësaj Ministrie me qëllim shmagjen e kaosit të krjiuar gjatë këtyre viteve.I gjithë ky proçes do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministritë e linjës, Federatën e Gjuetarëve të Shqipërisë dhe gjithë palët e interesuara, me qëllim planifikimin e qëndrueshëm të gjuetisë në vitet e ardhshme për arritjen e standarteve të BE-së.Ashtu si në të gjitha vendet e BE-së, e drejta e shoqërisë shqiptare për shfrytëzimin e pasurive natyrore duhet të shkojë deri në pragun e sanksionuar në ligj.Projektligji “Për shpalljen e Moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” u miratua vetëm një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, vetëm me votat e mazhorancës.