Alarm fals për bombë në qendër të Tiranës, mes Bashkisë dhe Xhamisë

Tritoli, si fjala më e përdorur 3-4 muajt e fundit që nga rruga e deri në Kuvend duket se është kthyer në një modë. Ende pa u shuar mirë flaka e shpërthimit të fundit, në Tiranë një telefonatë anonime ka ngritur në këmbë gjithë policinë ndërsa ka tronditur qytetarët për më shumë se një orë.Gjithçka ka ndodhur rreth orës 10.30 minuta kur një mashkull anonim nga një kabine rruge ka sinjalizuar policinë se në afërsi të bashkisë së Tiranës dhe xhamisë së madhe ishte një sasi eksplozivi që do shpërthente nga momenti në moment. Kaq ka mjaftuar që zona rreth kullës së sahatit të shëndërrohet në një shesh filmash aksion.Ekspertet ndoshta të bindur se ishte alarm fals nuk i kanë kushtuar shumë vemendje masave të sigurisë së tyre por civilë dhe pa mbrojtëse kanë hapur e kontrolluar të gjitha mjetet që ishin në perimetrin e zonës ku ishte dyshimi për bombë.As qentë dhe as kontrolli fizik nuk ka nxjerrë dyshime në sipërfaqe duke konfirmuar vetëm dyshimin e policëve që telefonata ishte thjeshtë një reng për uniformat blu që tashmë po përballen edhe më këtë modë që në disa raste ka qënë me pasoja serioze.E vetmja pjesë e hetimit që vazhdon në këtë rast është kërkimi për autorin e telefonatës që ka pak gjasa të gjendet pasi thirrja është bërë nga një kabine publike të cilës nuk i shfaqet as numri.