Shqipëri-Itali, task-forcë e përbashkët policie për goditjen e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilloi sot në Romë një takim teknik me homologun e tij, Alessandro Pansa, në kuadër të të cilit dy drejtuesit e lartë kanë evidentuar problematikat që janë në interes të policive të të dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta që do të ndërmerren për të parandaluar e goditur fenomenet kriminale.Në këtë kuadër ndërmjet policive të të dy vendeve u nënshkrua një protokoll operacional, që parashikon ngritjen e një task force, me synim rritjen e bashkëpunimit operacional për parandalimin dhe luftën ndaj formave të ndryshme të kriminalitetit.Protokolli i bashkëpunimit u nënshkrua nga Z. Didi dhe Z. Pansa.Në kuadër të kësaj task-force, policitë e të dy vendeve do të bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacioneve dhe analizën e të dhënave hetimore për individë dhe organizata kriminale, që veprojnë në të dy vendet, promovimin dhe rritjen e bashkëpunimit operacional policor për luftën ndaj fenomeneve kriminale të një rëndësie të veçantë, si dhe finalizimin e hetimeve të përbashkëta për gjetjen dhe kapjen e të kërkuarve Italianë në Shqipëri dhe të kërkuarve Shqiptarë në Itali.Nënshkrimi i kësaj marrëveshje përbën një impuls të ri për iniciativat operacionale dypalëshe sa i përket sigurisë publike, si dhe i shërben forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve.