Gjenevë,diskutohet siguria dhe terrorizmi në Siri

Ndërmjetësuesi i OKB-së Lakhdar Brahimi thotë se gjatë bisedimeve për paqe në Siri, të zhvilluara në Gjenevë, delegacionet e qeverisë dhe opozitës diskutuan çështje të sigurisë dhe terrorizmin në vend. Brahimi thekson se të dyja palët e pranojnë se në Siri ekziston një problem serioz nga terrorizmi. Por palët nuk bien dakord për masat kundër problemit.Ndërmjetësuesi i OKB-së ka shtuar më tej se të dyja palët pohojnë rëndësinë jetike të luftës kundër këtij problemi në emër të sigurisë dhe paqes në Siri. Brahimi vuri në dukje se qeveria dhe opozita kanë qëndrime të papajtueshme mbi çështje politike, por ai la të kuptohej se kanë arritur një masë mirëkuptimi në problemet humanitare.Që kur shpërtheu lufta civile në Siri në mars 2011, mbi 130 mijë vetë janë vrarë dhe 9.5 milionë janë zhvendosur. Vendi është shkatërruar. Qytete të tëra janë rrafshuar. Një ndër betejat më të rënda dhe të përgjakshme po zhvillohet në qytetin e rrethuar të Homsit.Banorët e qytetit të vjetër të Homsit kanë mbi një vit që nuk mund të marrin ndihmat e nevojshme. Askush nuk kishte shpresuar për gjetjen e një zgjidhjeje politike në këtë raund të parë bisedimesh, por kishte shpresa të shumta në planin humanitar. Deri tani, përparimi në këtë front ka qenë i pakët.Ndërmjetësuesi i OKB-së Lakdar Brahimi thekson se diskutimet mes Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë siriane për të dërguar në Homs furnizime të domosdoshme me ushqime dhe ilaçe mbeten të bllokuara. Ai tha se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga mungesa e përparimit në këtë drejtim."Pa diskutim është shumë trishtuese që ekzistojnë këto probleme. Negociatat vazhdojnë. Dilema që duhet të zgjidhim tani është se cili do të jetë hapi i parë: a do të dërgohen ndihmat dhe furnizimet fillimisht, apo do të lejohen më parë njerëzit të largohen nga qyteti i rrethuar dhe pastaj të merremi me çështjen e dërgesave humanitare”.Homsi nuk është i vetmi qytet i izoluar nga ndihmat. Kombet e Bashkuara njoftojnë se agjencitë humanitare nuk kanë qenë në gjendje të ndihmojnë 250 mijë vetë të bllokuar në shtatë zona të qytetit. Në një zhvillim pozitiv, Kombet e Bashkuara arritën dje të dërgojnë paketa ushqimore për mijëra palestinezë në kampin e refugjatëve Yarmouk në kryeqytetin Damask.Kjo bazë e rezistencës ka qenë pa ndihma për muaj të tërë. Zoti Brahimi e cilësoi dërgimin e ndihmave ushqimore në Yarmouk si një zgjidhje të pjesshme. Për fat të keq, tha ai, ende nuk ka një zgjidhje për Homsin.Raundi i parë i bisedimeve do të pezullohet për afro një javë. Brahimi tha se ai do të vazhdojë kontaktet me të dyja palët dhe shpreson që diskutimet në raundin e dytë do të jenë më të strukturuara.