Zbulohet një skemë e re mashtrimi me TVSH-në, dëmi ekonomik 26 milionë dollarë
Zbulohet një tjetër skemë mashtrimi me TVSH-në në fushën e tregtisë së skrapit. Ky abuzim i ka shkaktuar 26 milion dollarë dëm buxhetit të shtetit. Drejtoria e Hetimit Tatimor në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar këtë skemë mashtrimi me tatimet, ndërsa janë lëshuar edhe 9 urdhër arreste.Sipas burimeve, skema e mashtrimit me TVSH-në bëhej nëpërmjet krijimit të kompanive fantazme ndërsa në pranga kanë përfunduar 5 persona. Burimet nga policia bëjnë me dije se deri më tani janë arrestuar 5 persona, ndërsa 4 prej të akuzuarve janë shpallur në kërkim.Të arrestuar janë Xhelil Toshi nga Kruja, Besnik Daci nga Elbasani, Sokol Shatko, Roland Simolla dhe Pashako Muha nga Tirana, ku ndaj kësaj të fundit është vendosur masa e sigurisë "arrest shtëpie".Nga hetimet, ka rezultuar se këto subjekte tregëtare kanë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyre fiktive, persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregëtar, me qëllim tërheqjen e blloqeve të faturave të TVSH-së, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH-së në vlerën e sipërpërmendur.Në këtë skemë mashtrimi me TVSH-në janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo blerje.Hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe ndaj subjekteve të tjera të përfshira në këtë veprimtari kriminale.