Kadare rreth liqenit të Ohrit, ekspozitë në UET me foto të shkrimtarit
Në Universitetin Europian të Tiranës u çel ekspozita “Kadare rreth liqenit të Ohrit” me foto nga arkivi personal i Vaso Samsurit. Ekspozita me mbi 40 foto zbulon copëza të jetës të shkrimtarit në ngjarje dhe vizita të veçanta në Pogradec, Tushemisht, Ohër dhe vise të tjera rreth liqenit, që përmbajnë momente domethënëse të jetës së njeriut dhe shkrimtarit Kadare.Mes shumë të pranishmëve nga bota akademike, media, biznesi e politika, Vaso Samsuri, i cili e ka njohur Kadarenë në vitet ’60 në Pogradec, ku atëherë, si edhe tani, ata i bashkonin bisedat për Lasgush Poradecin, tha se e vlerësonte veten me shumë fat për këtë miqësi të tijën.“Me këtë ekspozitë dua të tregoj se, ashtu siç është shkrimtar i madh, ai është dhe njeri i madh. Mjafton të vështroni foton ku ai është përballë Poradecit. Mënyrës sesi e vështron portretin e Poradecit në shtëpinë e tij, me admirim për poetin dhe me thjeshtësi”, – tha Samsuri i cili me shumë dashuri tregon edhe një tjetër foto.“Një foto ngjall interes të çuditshëm. Duket sikur çliron energji. Këtë e konstatuam shumë vite më vonë pasi ishte shkrepur ajo fotografi. Nuk besoj ta ketë as vetë Ismaili atë foto”- shtoi më tej Samsuri.Një ditë më parë Ismail Kadare festoi 78 vjetorin e lindjes. Kadare mbetet një nga shkrimtarët më të shquar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Me personalitetin dhe veprat e tij, ai është një ndër ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në mbarë botën.