Peleshi, Salovaara: Finlanda mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit në BE

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti sot në një takim Drejtorin për Europën në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, Jukka Salovaara. Biseda u përqendrua tek perspektiva europiane e Shqipërisë dhe tek hapat konkrete që duhen ndërmarrë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.Zëvendëskryeministri i shprehu Salovaaras mirënjohjen për mbështetjen që Finlanda ka dhënë për integrimin e Shqipërisë, por edhe shpresën se Finlanda do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor, si një hap që do të kishte ndikim pozitiv për Shqipërinë, por edhe mbarë rajonin.Ai e njohu Z. Salovaara me hapat konkrete që ka marrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, për vendosjen e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e situatës ekonomike e klimës së biznesit si një domosdoshmëri për tërheqjen e investimeve të huaja dhe shfrytëzimin e potencialeve të Shqipërisë në fushën e turizmit, energjisë, bujqësisë etj.Zëvendëskryeministri u shpreh se qeveria shqiptare i sheh reformat modernizuese dhe europianizimin e vendit jo thjesht si kushte që duhen plotësuar në rrugën e integrimit, por si rrugën e vetme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Ai theksoi edhe vullnetin e qeverisë shqiptare dhe mazhorancës për të kërkuar bashkëpunimin me opozitën dhe gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit e konsensusit për reformat e mëdha që kërkon vendi.Nga ana e tij, Salovaara u shpreh se qeveria finlandeze i vlerëson zhvillimet pozitive në Shqipëri dhe garantoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai deklaroi se Finlanda e sheh zgjerimin e Bashkimit Europian si një nga instrumentet më efikasë për garantimin e stabilitetit dhe zhvillimit dhe u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor.Ai shtoi se në Bashkimin Europian ka një perceptim pozitiv se vendi është në rrugën e duhur përsa i përket procesit të integrimit dhe vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të ndërmarrë reformat e vështira që kërkon modernizimi dhe europianizimi i vendit.Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, programet e asistencës teknike, por edhe shkëmbimin e vizitave zyrtare në nivel ministrash si një hap për promovimin e investimeve finlandeze në Shqipëri.