Ambasadori i Japonisë Kohno, takon krerët e politikës: Rritje të bashkëpunimit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, Masaharu Kohno. Kryeparlamentari Meta pasi vlerësoi marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Japonisë si shumë të mira, shprehu vullnetin për të intensifikuar marrëdhëniet ndërparlamentare dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fusha prioritare si infrastruktura, bujqësia, turizmi dhe energjia.Meta bëri një vlerësim të veçantë për mbështetjen e Japonisë gjatë viteve të fundit, përmes aktivitetit të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, duke theksuar se investitorët japonezë janë të mirëpritur në Shqipëri.Nga ana e tij, ambasadori i Japonisë Masaharu Kohno shprehu për punën e bërë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin ndërparlamentar përmes shkëmbimit të vizitave të grupeve reciproke të miqësisë dhe në nivel Kryetarësh.Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori i Japonisë Masaharu ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet konkretizuar më tej në kuadër të intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike, inkurajimit të investimeve japoneze në Shqipëri, si dhe në drejtim të mbështetjes reciproke në organizatat ndërkombëtare.Ambasadori i Japonisë Masaharu Kohno është pritur në takime të veçanta nga Presidenti Nishani, kryeministri Rama, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.