Shuarja e mjeshtrit të klarinetës, Meta mesazh ngushëllimi për familjarët

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e Mjeshtrit të Madh, Laver Bariu, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.Nëpërmjet një mesazhi drejtuar familjarëve, Meta shprehet se ka mësuar me hidhërim të thellë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të artistit të madh të muzikës popullore, Laver Bariu.Për Kryetarin e Kuvendit ustai i madh i sazeve të Përmetit iku duke lënë pas tingujt e tij të kabave të tij të papërsëritshme dhe atë frymëzim fantastik të trëndafiltë të qytetit të tij dhe gjithë Shqipërisë.“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të artistit të madh të muzikës popullore, Laver Bariu. Ustai i madh i sazeve të Përmetit dhe një nga zëdhënësit e shpirtit, halleve, derteve dhe gazit të popullit tonë nuk është më! Iku duke lënë pas tingujt e tij të kabave të tij të papërsëritshme!”, thotë z. Meta në mesazhin e tij.“Iku duke lënë pas atë frymëzim fantastik të trëndafiltë të qytetit të tij dhe gjithë Shqipërisë! Iku për të qenë mes nesh me trashëgiminë e tij muzikore, me atë ngjyrë të papërsëritshëm të vajit dhe gazit të klarinetës së tij. Një trashëgimi e shtrirë në pothuaj gjashtë dekada, e cila ka shumë për t’i thënë të nesërmes sonë dhe gjithë kulturës shqiptare”, theksoi Kryetari i Kuvendit.Më tej, Meta shkruan se Laver Bariu është pjesë e asaj plejade të ndritur artistësh të qytetit të tij dhe se ai është më shumë se një virtuoz i instrumentit të klarinetës, por një pjesë e pandarë e identitetit tonë.“Laver Bariu është pjesë e asaj plejade të ndritur artistësh të qytetit të tij duke nisur me të madhin Mentor Xhemali, vëllezërit Lame, Zeqirin, Kananin, Currin, Tralon e të tjerë duke u bërë pjesëtarë i gjithë familjeve tona me muzikën e tij”, shton ai.“Laver Bariu është më shumë se një virtuoz i instrumentit të klarinetës. Ai është dhe një pjesë e pandarë e identitetit tonë dhe me ikjen e tij të gjithë kemi ikur nga pak nga e sotmja jonë. Për gjithë çfarë dha, mirënjohje të pafund për Mjeshtrin e Madh! Mirënjohje për sot dhe për nesër! Duke ju shprehur ngushëllimet e mia të thella, jam sinqerisht pjesë e dhembjes suaj!”, e mbyll mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.